AktualitetPolitikëTë fundit

“Unë e dija se çfarë po bëja”, Rama: Dumani aty ishte, por forcën e shpatës së ndëshkimit ia dhamë ne

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se fuqinë SPAK-ut (Prokuroria Speciale për Antikorrupsionin) ia kishte dhënë mazhoranca socialiste.

Në rubrikën “Sy m’Sy”, ku kryeministri Rama bashkëbisedon me ndjekësit e tij në rrjetin social “Facebook”, Rama tha se Reforma në Drejtësi nuk ra nga qielli, as nuk e solli Amerika me aeroplan, apo Europa me vapor.

“E bëra unë, së bashku me ata që shkruajtën Reformën dhe e votuan me vullnet të plotë, jo ata që erdhën zvarrë”, u shpreh Rama.

Sipas tij, dita e arrestimeve, gjykimeve dhe hetimeve të personave me pushtet politik, qofshin ministra, kryetar bashkie, qofshin ish-zyrtarë, nuk do të vinte kurrë pa të dhe pa Partinë Socialiste.

“Nuk vinte kurrë se po të vinte do të kishte ardhur që nga 1912 e deri ku unë dhe PS së bashku, skuadra jonë bëmë Reformën në Drjetësi, as ti e as paraardhësit e tu që kanë jetuar në këtë vend, nuk kanë parë asnjë gjë të tillë, siç po shikojmë sot”, tha ai.

Pyetja që shtrohet, vijoi Rama, është: Si ka mundësi që nga 1912 deri kur nisi puna e institucioneve që u krijuan nga Reforma në Drejtësi nuk u bë një hetim, nuk u thirr nga një prokuror dhe nuk u çua një njeri me pushtet politik në Gjykatë?

“Kjo shpjegohet me faktin se unë dhe skuadra ime vendosëm diçka që nuk e ka bërë askush më parë, t’i dorëzojmë drejtësisë “shpatën e ndëshkimit” që historikisht ishte në duart e pushtetit politik”, deklaroi ai.

Kryeministri solli në vëmendje se Dumani ishte edhe para Reformës në Drejtësi prokuror, por nuk ka pasur fuqinë që ka sot.

“Altin Dumani, për të cilin kam respekt dhe ia kam shprehur solidaritetin e të gjithë qeverisë, ka qenë aty, prokurorët kanë qenë aty. Por nuk kanë pasur fuqinë që kanë sot, sepse shpatën e ndëshkimit e mbante kush rrinte në zyrën e kryeministrit dhe e përdorte për hesapet e pushtetit të vet”, tha Rama.

Rama theksoi se atë shpatën që mban Zonja e Drejtësisë, e mbante pushteti ekzekutiv.

“Unë e dorëzova “shpatën” për të bërë këtë që po bëj, sepse kjo është e vetmja rrugë. Sigurisht ka koston e vet. Unë e dija se çfarë po bëja”, u shpreh kryeministri.

 

Fraksion.com