AktualitetPolitikëTë fundit

U kthyen nga emigracioni: Asgjë nuk e zëvendëson ndjesinë e të jetuarit dhe të punuarit në tokën tënde

Kryeministri Edi Rama ndau sot historinë e Fatjonit dhe Erjolës dy shqiptarë të kthyer nga emigrimi në Zvicër të cilët kanë ndërtuar në Petrelë një sipërmarrje të re dhe kanë vendosur të rrisin fëmijët në Shqipëri, ku, siç e thonë edhe vetë, asgjë nuk krahasohet me ndjesinë e të jetuarit dhe punuarit në tokën tënde.

“Kemi bërë një zgjedhje që për shumëkënd mund të duket jo e zakontë, por që për ne ishte zgjedhja e jetës. Pasi kaluam vite në Zvicër mes një jete të sigurt e kuptuam që vendi ynë kishte diçka që askund tjetër nuk mund ta gjenim ndjesinë e të qenit në shtëpi”, tha Fatjoni.

“Ndoqëm zemrën dhe vendosëm të investonim në Shqipërinë tonë jo vetëm për veten dhe të ardhmen tonë, por edhe për fëmijët tanë”, tha Erjola.

“Sot kemi ngritur agroturizmin “Muza” në Petrelë, një oaz që bashkon natyrën, traditën dhe mikpritjen shqiptare. Çdo ditë bashkë me familjen time punojmë, jo vetëm për të rritur Muzën tonë, por edhe për të frymëzuar të tjerët që duan të investojnë në Shqipëri, sepse për ne ky nuk është thjesht biznes, por një mënyrë për të ruajtur traditën dhe krijuar mundësinë për komunitetin dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të zonës së Petrelës”, tha Fatjoni.

“Asgjë në botë nuk e zëvendëson ndjesinë e të jetuarit dhe të punuarit në tokën tënde, pranë njerëzve të tu ndaj puno dhe jeto aty ku ke zemrën, në Shqipëri”, tha Erjola.

 

Fraksion.com