AktualitetNATO/BETë fundit

Samiti i urgjencës, Von der Leyen: Liderët takohen për të riarmatosur Evropën dhe për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainës

Liderët kryesorë evropianë arrijnë në Bruksel për samitin e urgjencës së BE-së në lidhje me situatë në Ukrainë.

Në një deklaratë të shkurtër për  shtypin, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen thotë se liderët po takohen sot për të “riarmatosur Evropën” dhe për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainës.

Kujtojmë se udhëheqësit e BE-së po takohen sot në Bruksel për një këshill të posaçëm për mbrojtjen pas një paralajmërimi nga presidenti francez Emmanuel Macron se kontinenti është në një “pikë kthese të historisë”.

Ky është i fundit në një seri takimesh që fokusohen në sigurinë në kontinent, si dhe në atë se si të mbështesim më tej Ukrainën. Së fundmi, ata u mblodhën në Londër për një samit të organizuar nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer.

Përveç riarmatimit, liderët pritet të diskutojnë se si BE-ja mund të mbështesë më tej Kievin pasi Presidenti i SHBA Donald Trump njoftoi të hënën se do të pezullonte ndihmën për Ukrainën dhe Uashingtoni konfirmoi vendimin e tij për të ndaluar ndarjen e inteligjencës me vendin.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë në bisedime.

Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi një paketë të paprecedentë të mbrojtjes të hënën, duke thënë se Evropa ishte e gatshme të rriste “masive” shpenzimet e saj të mbrojtjes “me shpejtësinë dhe ambicien që nevojitet”.

Evropa po përballej me një “rrezik të qartë dhe të pranishëm në një shkallë që askush prej nesh nuk e ka parë në jetën tonë të rritur”, tha ajo.

 

Fraksion.com