Rama me të rinjtë: Për mua, politika është pasion dhe mision
Kur na ndajnë 66 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me të rinjtë e PS-së në Tiranë.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një të reje se “ku i buron energjia”, Rama tha se “për sa i përket energjisë është një çështje më personale”, ndërsa shtoi se për të politika është pasion dhe mision.
“Për mua politika nuk është profesion, nuk është punë, nuk është zanat jo e jo, nuk është karrierë në kuptimin që i jepet karrierës. Është pasion dhe është mision dhe për hir të vërtetës, nga mënyra sesi ka ndodhur me mua, por po të shikosh momentet kyçe që më kanë bërë të merrem me këtë punë, ka qenë në njëfarë mënyrë fat dhe lojë e fatit më saktë sepse nuk kanë qenë vendimmarrje të menduara gjatë etj, por kanë qenë rrethana dhe e fundit ka të bëjë dhe me historinë”, tha Rama.
“Domethënë, në moshën tuaj unë jetoja në një regjim tjetër, nuk kishte lidhje me këtë sot dhe ishte një betejë për liri personale, nuk kishte lidhje me zgjedhje e me alternativa, ishte betejë për liri personale dhe rrethanat e kanë sjellë që të ngec në këtë valle. Kjo është gjëja”, tha Rama.
Rama theksoi se një gjë që e mban në politikë është edhe fakti që mund të përmbyllim fazën historike, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë shtoi se në një farë mënyre kjo është një lloj i hakmarrjes për gjithçka që ka ndodhur në të shkuarën me vendin tonë, në të gjitha nivelet.
“Unë i them “zjarr i brendshëm”. Në qoftë se kur njeriu, unë të paktën sepse nuk them njeriu sepse njerëzit janë lloj-lloj, por për sa kohë kam këtë zjarrin e brendshëm nuk kam nevojë të mendoj se ku t’i gjej energjitë. Pastaj, nëse zjarri fillon dhe shuhet atëherë do jetë e vështirë për t’i gjetur edhe energjitë dhe kaq. Në këtë gjë më mban ajo që ju thashë, fakti që ne mund ta mbarojmë këtë. Ne, unë se Ogerta me ju do vazhdoni, por fakti që mund ta përmbyllim këtë fazë historike, duke u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe në njëfarë mënyre është dhe një lloj hakmarrjeje për gjithçka që ka ndodhur në të shkuarën, në të gjitha nivelet. Kjo është pak a shumë përgjigja që unë do jepja”, tha Rama.
Fraksion.com