Rama: Alternativë ndaj nesh është “këneta”
Kryeministri Edi Rama, në rubrikën “Sy m’Sy”, ironizon koalicionin opozitar të quajtur “Shqipëria Madhështore”, duke u shprehur: “Imagjinoni të hyjmë në histori me Kujtim Gjuzin”.
Kryeministri theksoi se, “qytetarët duhet të kuptojnë se Shqipëria duhet të ecë përpara në BE”.
“Përsëri në mars ne do të hapim zyrtarisht grup-kapituj të tjerë të negociatave. Ne kemi 1000 vetë që merren me këtë punë të negociatave në të gjithë sektorët dhe nuk ka asnjë minutë për të humbur, jo më lëkundje duhet të fokusohemi të gjithë te ky proces. Duhet t’i japim fuqi në 11 maj këtij procesi, duhet të mos ketë ndërprerje asnjë ditë, sepse shpejtësia marramendëse e kësaj pune është e paparë si sfidë”, tha ai.
“Imagjino të merremi me historira me Kujtim Gjuzin. Kujtim Gjuzi është pamja dhe gjithë simbolika e “Shqipërisë Madhështore”. Ne nuk na duhet kjo, ne na duhet Shqipëria në BE”, u shpreh Kryeministri.
“E quaj opozitën “kënetë”, po si mund ta quaj opozitën ndryshe?! Kur unë bëj një shfrytëzim metaforik të gjuhës shqipe, ka njerëz që skandalizohen, ndërkohë që kur të tjetër bëjnë një shfrytëzim barbarë të gjuhës shqipe, duke përdorur fjalët me ekstreme, si kriminel, kusar, hajdut etj., kjo është normale?! Kënetë dhe çfarë kënete, që nuk i duhet dreqit, sepse këneta në vetvete ka të mirat e veta dhe bufi vetë, ai i vërteti i kënetës është ku e ku me këtë “bufin” tjetër që është buf me dy këmbë e me dy duar. Alternativa ndaj nesh është këneta, dhe po kthemi pas, ne Shqipërinë e kemi gjetur në kënetë. Kjo është e vërteta. Po të kthehemi mbrapsht, ne Shqipërinë e kemi gjetur në kënetë, gjithë ato borxhe. Ishte një kënetë me gjithë ndërtimet pa leje në të gjithë bregdetin. Kjo është vërteta”, tha Rama.
Fraksion.com