Presidenti Trump shtyn hyrjen në fuqi të tarifave për Meksikën
Mallrat nga Meksika, që janë pjesë e një marrëveshjeje tregtare të tre vendeve të Amerikës së Veriut, do të përjashtohen për një muaj nga tarifat prej 25% që Presidenti amerikan Donald Trump vendosi në fillim të kësaj jave. Njoftimi u bë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të enjten.
Vendimi për të shtyrë me një muaj vendosjen e tarifës prej 25 % ndaj mallrave meksikane u mor pas një telefonate që Presidenti Trump pati me presidenten e Meksikës.
“Pasi bisedova me Presidenten Claudia Sheinbaum të Meksikës, kam rënë dakord që Meksikës nuk do t’i kërkohet të paguajë tarifa për mallrat janë pjesë e Marrëveshjes për Tregti të Lirë”, shkroi Presidenti Trump në rrjetin social “Truth Social”. Ky vendim vlen deri më 2 Prill, afat kur pritet të hyjnë në fuqi dhe ato që administrata i ka cilësuar si tarifa reciproke.
“Ne patëm një bisedë telefonike të shkëlqyer gjatë të cilës ramë dakord që puna dhe bashkëpunimi ynë kanë dhënë rezultate të paprecedenta, brenda kornizës së respektimit të sovraniteteve tona”, shkroi Presidentja Sheinbaum në një publikim në rrjetin social “X”.
Presidentja Sheinbaum tha se të dy vendet do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të frenuar mbërritjen e fentanilit nga Meksika në Shtetet e Bashkuara, një pikë kyçe e mosmarrëveshjes në negociatat mbi tarifat e Uashingtonit për importet meksikane.
Zhvillimi vjen një ditë pasi Presidenti Trump përjashtoi industrinë e automobilëve nga tarifat prej 25% që vendosi mbi importet nga Kanadaja dhe Meksika që nga dita e martë.
Presidenti Trump, megjithatë, nuk dha ndonjë njoftim për tarifat ndaj mallrave kanadeze, pavarësisht se Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick përmendi mundësinë e pezullimit të tarifave mbi të gjitha importet që përputhen me marrëveshjen tregtare SHBA-Meksikë-Kanada. Presidenti Donald Trump ishte ai që negocioi këtë marrëveshje në mandatin e tij të parë.
Sekretari Lutnick i tha rrjetit “CNBC” se ai priste që Presidenti Trump të shpallte një vendim të enjten.
“Nëse keni respektuar marrëveshjen e Donald Trump-it, SHBA-Meksikë-Kanada, do të shmangni këto tarifa tani. Nëse keni zgjedhur të mos respektoni marrëveshjen, sot është dita kur jepni llogari”, tha ai./VOA
Fraksion.com