Berisha: Vendosim kartën e konsumatorit, 450 euro në vit nga kthimi i taksave
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me strukturat e Partisë Demokratike, dega Durrës.
Gjatë fjalës së tij Berisha u ndal tek vota e diasporës, ndërsa i cilësoi takimet me shqiptarët jashtë vendit si entuziaste.
“Puna e bërë nga ju, drejtuesit e degës, kandidatët, që nderuan garën krijuan një epërsi të madhe morale dhe numerike në mbështetjen e PD kudo në Itali, Gjermani, SHBA, Britani dhe kudo. Mendoj se, me fitoren tonë në diasporë, në kuptimin e një angazhimi, një entuziazmi, një optimizmi të paparë, ju garantoj që unë kam përjetuar takime të tilla, veçse në vitet 1990-1991. Një entuziazëm i papërmbajtur, i papërshkruar i qytetarëve shqiptarë jashtë vendi” u shpreh Berisha.
“Ky entuziazëm dhe ky optimizëm ka ngrohur shumë zemrat e shqiptarëve. Tashmë, është bërë e qartë përfundimisht se shqiptarët jashtë vendit mbështesin PD, mbështesin opozitën si forcën dhe forcat e vetme politike për shpëtimin e Shqipërisë”, tha Berisha.
Berisha tha se programi i PD-së do ta transformojë me shpejtësi shumë të madhe Shqipërinë.
“Ne kemi një program shumë konkret, dhe kemi një program shumë të shpejtë, me të cilin ne transformojmë me shpejtësi shumë të madhe Shqipërinë”, u shpreh Berisha.
“Buxheti në radhë të parë do të ndajë paketën e emergjencës, do të vendosim minimumin jetik 200 euro, do rrisim pensionet, nuk do të ketë pension nën 200 euro, do rrisim pensionet me 20%. Nuk do të ketë rrogë minimale nën 500 euro. Rroga mesatare do të shkojë në 1200 euro dhe përveç kësaj, çdo pensionisti, çdo personi me rrogë të ulët do t’i japim kartën e konsumatorit me të cilën atij do t’i kompensohet, jo bonus siç thotë ky, por do t’i kthehet taksa e ushqimeve dhe gjërave bazë që ka blerë, e cila e llogaritur nga ekspertët shkon në 450 euro në vit”, shtoi Berisha.
Berisha tha se “do të ketë përgjysmim të ujit të pijshëm, nuk mund të paguajë qytetari vjedhjet e tmerrshme që bëhen me ujësjellësat”.
“Pra, paketa e Shqipërisë ta quajmë paketa e dhembshurisë, paketa e emergjencës, vendoset tre muajt e parë”, tha Berisha.
Fraksion.com