Banka Shqiptare e Zhvillimit, mbështetje integrimit të SME-ve në tregun e hapur europian
Banka Shqiptare e Zhvillimit do të mbështesë përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në BE përmes zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të konkurrueshmërisë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME), që përbëjnë 80% të vlerës së shtuar në ekonominë shqiptare.
Kështu u shpreh deputetja e Partisë Socialiste, ish-ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi në një intervistë për ATSH-në, ku shpjegoi rolin e krijimit të Bankës së parë Shqiptare të Zhvillimit dhe fokusin e mbështetjes.
“Qeveria shqiptare dhe e gjithë shoqëria është e angazhuar që ne ta shikojmë flamurin e Shqipërisë në 2030 në Bashkimin Europian. Për këtë objektiv, qeveria po punon për përmbushjen e detyrimeve dhe kritereve, që kërkon procesi i integrimit në disa drejtime dhe procese”, tha Ekonomi.
Ekonomi vuri në dukje se, Shqipëria ka shënuar hapa shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Në këtë kontekst, vijoi ajo, kur kaloi procesi screening, ne kemi gëzim që çdo herë që hapet një nga kapitujt (6 gjithsej) ta prezantojmë në publik, kapitullin dhe çështjet kryesore që ka çdo kapitull.
“Së fundi është hapur Kapitulli i Tregut, që është dhe kapitulli i tretë, dhe është një nga kapitujt e rëndësishëm që do ta bëjë gati ekonominë shqiptare që të jetë konkurruese me ekonominë e BE-së. Nisur nga ky fakt institucionet kanë ngritur nevojën për ngritjen e një banke zhvillimi që do të ketë instrumente financiare brenda saj, me fokus mbështetjen e SME-ve, Sepse për tregun shqiptar, SME-të janë 80% e vlerës së shtuar në ekonomi dhe punësojnë mbi 80% të forcës së punës, por ndërkohë mundësia për t’u kredituar është 4 herë më e vogël se ajo e biznesit të madh”, theksoi Ekonomi për ATSH-në.
Në këto kushte, nënvizoi Ekonomi, për të bërë një ekonomi konkurruese, ku shtyllën e zhvillimit e kanë SME-të, qeveria mendon që fondin për zhvillim ta japë përmes një banke zhvillimi, që adreson specifikisht mbështetje për zhvillimin e qëndrueshëm të biznesit dhe rritjen e prodhimit konkurrues Made in Albania në tregun e hapur.
Në këndvështrimin e ekspertes së ekonomisë, Ekonomi shprehet se Banka për Zhvillim do të rrisë konkurrueshmërinë në sektorin bankar përmes ofrimit të kredive me interesa të ulëta.
“Ne kemi 11 banka të nivelit të dytë, por ajo që ndodh është se Banka për Zhvillim që hyn në lojë me bankat e tjera tregtare, ka 51% të aseteve të veta aksione të qeverisë dhe tatimfitimin e rifut në qarkullim dhe kjo bankë do të ‘presojë’ tregun bankar përmes ofrimit të kredive me interes të ulët, duke lehtësuar SME-të të kenë më shumë akses në financim dhe për t’u zhvilluar. SME duhet të rrisin produktivitetin dhe këtë objektiv ato mund ta arrijnë vetëm përmes implementimit të teknologjive bashkëkohore. Banka e Zhvillimit i vjen në ndihmë të gjithë tregut dhe ekonomisë shqiptare”, tha Ekonomi.
Ekonomi shprehet se, Banka e Shqipërisë me lançimin e programit të ri të financimit 25 miliardë lekë kredi për SME-të dhe bujqësinë, ka sjellë përvojën më të mirë europiane në këtë drejtim dhe bashkë me ekspertizën e institucioneve ndërkombëtare dhe diskutimin me të gjithë aktorët, po paraprijnë me këtë program modelin për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit.
Sipas saj, sot është fakt që fondi që vihet në dispozicion të programit të SME-ve mbulon 70% të kolateralit, më shumë se çdo herë tjetër, çka do të thotë se ky program nuk ndihmon vetëm ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por mbi të gjitha edhe bizneset bujqësore.
“Bujqësia shqiptare duhet të arrijë disa objektiva shumë të rëndësishme, sepse ne jemi angazhuar që të arrijmë 1 miliard eksporte në 2030-n dhe kjo arrihet duke mekanizuar bujqësinë, shtuar sipërfaqet me vepra ujitëse dhe kulluese, duke zgjeruar sipërfaqet me serra dhe aplikimin e mjeteve të mbrojtjes nga faktorët klimatikë. Fakti që kishim një fond garancie si eksperiencë edhe nga vitet e kaluara dhe në këndvështrimin si do ta përmirësojnë duke avancuar aksesin në financim edhe për sektorin e bujqësisë, qeveria vuri 70% të kolateralit që mundëson pikërisht kreditimin e bujqësisë”, theksoi ajo.
Ekonomi tha se, së bashku me prodhuesit shqiptarë, mund të rrisim më tej cilësinë e bujqësisë të Shqipërisë dhe mund ta sjellim Shqipërinë një hap më pranë integrimit në BE.
Pikërisht, vijoi ajo, ky instrument financimi (programi për SME dhe bujqësinë) do të shërbejë si një orientues apo mentorim se si është konceptuar kjo Bankë Zhvillimi që do të mbështesë përafrimin e prodhimit shqiptar me tregun e hapur./ATSH
Fraksion.com