AktualitetTë fundit

Trafikonin armë dhe falsifikonin dokumente, tre të arrestuar në Elbasan

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Organizatori”, një hetim 4-mujor që ka çuar në arrestimin e tre personave dhe sekuestrimin e armëve dhe dokumenteve të falsifikuara.

Në kuadër të operacionit, policia ka sekuestruar 3 armë zjarri kallashnikovë, 3 320 fishekë luftarakë, një granatë defensive, si dhe 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara (shqiptare, bullgare dhe maqedonase).

Operacioni u realizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Elbasanit.

Si rezultat i operacionit, në pranga u vu shtetasi Dh. P., 59 vjeç, banues në Elbasan, i cili dyshohet se ka qenë organizatori i dy veprimtarive kriminale: trafikimi i armëve drejt Maqedonisë së Veriut dhe falsifikimi i dokumenteve. Gjatë operacionit, u arrestuan gjithashtu dy bashkëpunëtorët e tij: E. C., 52 vjeç, banues në Gramsh, dhe A. L., 47 vjeç, banues në Elbasan.

Gjatë hetimeve dhe operacionit, u zbulua se 52-vjeçari E. C. bashkëpunonte me Dh. P. për trafikimin e armëve, ndërsa 47-vjeçari A. L. kishte rol në falsifikimin e dokumenteve. Policia ka sekuestruar 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe pajisje të tjera që shërbenin për këtë veprimtari kriminale.

Në fshatin Çekin, Gramsh, gjatë kontrollit të automjeteve të drejtuara nga Dh. P. dhe E. C., u gjetën të fshehura në bagazhe 3 armë zjarri kallashnikovë, 3 320 fishekë dhe një granatë, të cilat, sipas hetimeve, ishin destinuar për trafikim në Maqedoninë e Veriut.

Hetimet janë në vazhdim, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në këto veprimtari kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Elbasan, për veprime të mëtejshme.

 

Fraksion.com