Miratimi i marrëveshjes për pensionet, Balla: Ditë e rëndësishme për 500 mijë shqiptarë në Itali
Me 129 vota pro dhe asnjë kundër, Senati italian i hapi dritën jeshile njohjes së kontributeve shoqërore për efekt pensioni të qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali.
Po ashtu edhe Shqipëria e ka ratifikuar tashmë këtë marrëveshje dhe do të nisë zbatimin e saj.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, në një prononcim për ATSH-në bëri të ditur se marrëveshja do të nisë zbatimin menjëherë pasi ajo të firmoset nga presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.
“Me të gjitha votat pro, Senati i parlamentit italian ratifikoi finalizimin e marrëveshjes midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore”, u shpreh Balla.
Ai e cilësoi ditën e sotme, si shumë të rëndësishme për të gjithë bashkatdhetarët në Itali, por edhe familjarët e tyre kudo ku ndodhen.
“Sepse me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, rreth 500 mijë shqiptarë që kanë shumë vite që jetojnë, sakrifikojnë, punojnë dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Italisë, nga vitet ’90 e këtej, por edhe të atyre shtetasve italianë që kanë kontribuar e punojnë në Shqipëri, do të kenë më në fund mundësi të gëzojnë dhe përfitojnë pensionet. Me firmosjen nga presidenti Mattarella, marrëveshja hyn në fuqi”, deklaroi Balla.
Dhoma e Senatit miratoi me 129 vota pro dhe asnjë kundër ratifikimin dhe zbatimin e Marrëveshjes mes Italisë dhe Republikës së Shqipërisë për sigurimet shoqërore, nënshkruar në Romë më 6 shkurt 2024.
Masa synon të garantojë mirëqenien dhe përfitimet e sigurimeve shoqërore të qytetarëve të të dy vendeve.
Kjo marrëveshje është pjesë e marrëdhënieve të shkëlqyera politike, ekonomike dhe tregtare që lidhin dy vendet, në perspektivën – e mbështetur fuqishëm nga Italia – të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian./atsh
Fraksion.com