“Ja erdhi 11 maji e do ta shohim”, Rama komentuesve: Qeveria e PS do të jetë dhe ca vite këtu
Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj postimit të renditjes së Shqipërisë e para si destinacioni me rritjen më të madhe të numrit të turistëve për vitin 2024 në krahasim me vitin 2019 nga UN Tourism, organizata më e madhe botërore e turizmit, anëtarë të së cilës janë krejt shtetet e OKB.
Shqipëria ka një rritje të numrit të turistëve për vitin 2024 me 80% në krahasim me vitin 2019, duke lënë pas Arabinë Saudite me 69% dhe Kolumbinë me 37%.
Duke iu përgjigjur komentuesve në rubrikën “Sy m’Sy”, Rama u shpreh se, “këtu flitet për rritje krahasimisht me vitet e mëparshëm, jo për numra absolutë, se për numra absolutë ne as krahasohemi, a s’kemi pse krahasohemi, sepse është absurditet: Franca ka 100 milionë, Turqia ka 55 milionë, Greqia ka 33 milionë dhe me radhë”.
“Këtu flitet se cili vend është zhvilluar më shumë në vitin që lamë pas. Është rritur më shumë në përqindje në raport me vetveten. Dhe pavarësisht se ti mund të mos e duash këtë qeverinë time të poshtër, kjo nuk duhet të të pengojë mor vëlla të gëzohesh për Shqipërinë. Apo jo? Pse mos të gëzohesh?”, tha Rama.
“Qeveritë venë e vijnë, edhe pse kjo e Partisë Socialiste do të jetë edhe ca vite këtu deri sa të fusim Shqipërinë në bashkimin Evropian, të paktën. Por tek e fundit Shqipëria mbetet për jetë. Dhe kur Shqipëria shkëlqen në një drejtim si ky i turizmit dhe e thonë të tërë s’ke pse ia kursen vetes një buzëqeshje mor Paulin. Po nejse, ti e di vetë”, iu drejtua Rama komentuesit.
Një tjetër komentueseje, e cila u shpreh se vetëm Shqipëria kishte mbetur pa u zhvilluar dhe e pyeti nëse e di që jemi në vitin 2025, Rama iu përgjigj se, “nuk e kuptova çfarë kishit parasysh me pyetjen për vitin ku jemi, po që jemi në 2025-ën e kam shumë, shumë të qartë edhe sepse ky është viti i mandatit të ri qeverisës që do e marrim në 11 maj, kështu që nuk kam sesi e ngatërroj. Por edhe juve po ju përsëris atë që i thashë Paulinit: Gëzohuni, mos kini frikë të gëzoheni për Shqipërinë kur ajo bën sukses”.
“Dhe këtë muhabetin që vetëm ne kishim mbetur pa u zhvilluar, kështu që kjo do të ndodhte, siç ndodh kur bie shi apo kur bie borë, mos e bëni kështu se nuk është fare serioze, është shumë qesharake kjo mënyrë e të arsyetuarit. Fakti që po ndodh kështu sot lidhet me punët kolosale që janë bërë në këto vite në çdo drejtim për të përmbysur në radhë të parë atë imazhin skandaloz të Shqipërisë, për të pastruar llumin, plehrat e kudondodhura, për të rilindur qytetet, për të rindërtuar infrastrukturën, për të mbështetur investimet në turizëm, në bujqësi, në biznesin e vogël dhe me radhë e me radhë”, tha Rama.
“A do rritej kështu turizmi nëse aeroporti, për shembull, do të vazhdonte të ishte më i shtrenjti në Evropë? Nëse Tirana do të vazhdonte të ishte ajo e 10 viteve më parë që gërhiste dhe e rizgjuam nga gjumi? Nëse Vlora, Korça, Berati, Gjirokastra, Himara, Lezha e me radhë do të ishin ato të 10 viteve më parë ku nuk bëje dot një fotografi se s’kishe nga rrotulloheshe nga rrënimi? Nëse Shqipëria do të ishte akoma inferiore dhe e përçmuar ndërkombëtarisht si deri 10 vjet më parë që na shihnin të gjithë nga lart poshtë edhe rrudhnin buzët kur dëgjonin Shqipëri e kur dëgjonin shqiptarë?”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se ka një fakt kokëfortë.
“Suksesi i Shqipërisë turistike sot është vizioni, programi, puna këmbëngulëse e kësaj qeverie dhe e askujt tjetër, si dhe aleanca jonë strategjike me sipërmarrësit e mëdhenj dhe të vegjël të Shqipërisë që punon, punon, punon dhe nuk merret me llafe. Të tjerat janë llafe, llafe që i merr era dhe era e 11 majit, yf sa llafe do marri me vete. Ja erdhi, do ta shohim sa llafe do marri me vete ai 11 maji. I bekuar do të jetë!”, u shpreh Rama.
Fraksion.com