AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Listat e mbyllura të PD-së speciet më të ulëta të politikës! Tashmë vetëm një kënetë me një buf

Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar sot rubrikën “Sy m’sy” për t’iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve në platformat sociale, direkt nga Berlini, aty ku po mbahet Panairi ndërkombëtar i Turizmit ITB Berlin 2025, ku Shqipëria mban vendin e nderit e përzgjedhur nga organizatorët e këtij panairi për këtë vit.

Një prej komentuesve pyet Ramën: “Hajdutët e popullit do kandidojnë prapë në këto zgjedhje, por me hajdutë do shkohet drejt Evropës?”.

“Është zgjedhje shumë e qartë e kësaj here. Nuk ka qenë më e qartë se në 11 maj. Shqipëria do të vendosë të gjitha forcat veta për të realizuar anëtarësimin. Zgjedhja përmes votës është dramatike, është tmerrësisht e qartë. Ose një votë për mua dhe për ne bashkë për Shqipërinë 2030 për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ose një votë për “kënetën” për t’u kthyer prapë në gropën e kuak-kuak-kuave. Kush do ta hedhë votën në atë drejtim do t’i bjerë në qafë fëmijëve të vet që nuk votojnë dhe që garancinë e të ardhmes së tyre e presin nga prindërit që votojnë”, iu përgjigj Kryeministri.

Ai shtoi se PD sot së është një kënetë me një buf dhe gjithëfarësoj speciesh. “Prisni kur t’ju shfaqet lista e deputetëve dhe shihni pak atë listën e mbyllur. Aty m’u përqendroni. Ajo lista e mbyllur e “kënetës” është me speciet më të ulëta të politikës, të faunës politike, prapë aty do t’i kemi thotë “këneta””, vijoi Rama.

Komentuesi i radhës e pyet Kryeministrit Rama se pse nuk ka oferta të përbashkëta me Kosovën sa i takon turizmit.

“Duhet t’i kemi dhe shpresoj që tani që zgjedhjet mbaruan atje do ketë fokus më shumë te disa gjëra të tjera që mund t’i bëjmë. Është koha të jemi shumë afër, shumë bashkë, të jemi “mish e thua” dhe jo thjesht me zemër se me zemër ashtu kemi qenë dhe jemi, por edhe me mendje”, theksoi Kryeministri.

 

Fraksion.com