AktualitetPolitikëTë fundit

“Miq tani nuk jemi më vetëm“, Garo në Milano: Diaspora ta shohë Shqipërinë si vendin e ëndrrave

Në fjalën e mbajtur në takimin me diasporën në Milano, zëdhënësja e Partisë Demokratike Floriana Garo u bëri thirrje shqiptarëve të diasporës që ta shikojnë Shqipërinë jo vetëm si vendin e zemrës, por edhe të ëndrrave.

Ajo bëri të ditur se, për shqiptarët që rikthehen në vend dhe do të investojnë për 5 vite nuk do të paguajnë taksa.

“Kur nisëm turin e takimeve në Diasporë në Londër para disa muajsh, Kryetari ynë ishte në arrest shtëpiak dhe fitorja e PD dukej larg. Ne kurrë nuk reshtëm së besuari. Na ndanë, na përçanë, na censuruan dhe na përçmuan. Na morën logon dhe flamurin, na sulmuan dhe luftuan nga kreu i qeverisë deri tek nivelet më të larta të ish-administratës amerikane. Ne besuam, qëndruam dhe luftuam për kauzën tonë të drejtë dhe në fund fituam”, tha Garo.

Ajo vuri në dukje se ka ardhur koha të investojmë tek qytetarët, tek familjet shqiptare, tek rinia dhe e ardhmja.

“Ka ardhur koha që edhe diaspora ta shohë Shqipërinë jo vetëm si vendin e zemrës, por si vendin e ëndrrave. Një vend pa taksa për 5 vjet për çdo emigrant që kthehet dhe e rindërton jetën këtu. Një vend me minimum jetik 200 euro për çdo individ, me rroga dhe pensione të dyfishuara, një Shqipëri të teknologjisë së fundit dhe një vend që garanton punësim dhe jetë me dinjitet për të gjithë bijtë e tij, kudo që ndodhen. Një vend ku të dashurit tuaj jetojnë të qetë dhe të sigurt, e ju nuk rrini më me kokën pas në merak për ta”, u shpreh ajo.

“Miq, tani ne nuk jemi më vetëm. Luftës ndaj ekstremit të majtë që kishte marrosur botën me devijimin e skajshëm nga vlerat e tradita, po i prijë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me presidentin Donald Trump. Fati po kthehet në anën tonë, miq, por fitore varet nga ne.Kemi nevojë për ju, për mbështetjen dhe votën tuaj, për energjinë tuaj elektrizuese që po motivon çdo demokrat anembanë Shqipërisë për të mos pasur më frikë, por për t’u ngritur me vendosmëri kundër kësaj narko-qeverie që tani po shkrumbohet dita ditës”. deklaroi Garo.

 

Fraksion.com