100-vjetori i vrasjes së Luigj Gurakuqit, Spiropali në Itali: Ndër etërit themelues të Shqipërisë së pavarur
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mbajti një fjalë në ceremoninë e organizuar sot në Bari (Itali), në 100-vjetorin e vrasjes së Luigj Gurakuqit.
Në këtë veprimtari merrnin pjesë autoritete të larta të Barit, rajonit të Puljas, deputetët Mimi Kodheli, kryetare e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, Pandeli Majko dhe Milva Ekonomi, kryetarë të bashkive, drejtues universitetesh dhe studiues shqiptarë dhe italianë.
Para fillimit të kësaj veprimtarie, kryetarja Spiropali u prit në takim nga kryetari i bashkisë, Leccese dhe i shprehu mirënjohjen bashkisë dhe Universitetit “Aldo Moro” të Barit, për organizimin e ceremonisë përkujtimore për patriotin dhe shkrimtarin Luigj Gurakuqi.
Spiropali dhe Leccese vendosën kurora dhe buqeta me lule në pllakën që përkujton vrasjen e Luigj Gurakuqit.
Në fjalën e saj, Spiropali, nënvizoi se “Luigj Gurakuqi e mbylli rrugëtimin e tij tokësor në këtë qytet që e ka dashur ndoshta më shumë se atdheun e tij, Shqipërinë. Delegat në Kuvendin e Vlorës, autori që shkruajti tekstin e Deklaratës së Pavarësisë dhe bashkëfirmëtar i saj, do të mjaftonin që Luigj Gurakuqin ta quajmë një ndër etërit themelues të shtetit shqiptar. Etërit themelues të Shqipërisë, u ndodhën në ato kohëra historike, përballë një lutjeje këmbëngulëse të popullit shqiptar: Bëni diçka për fatin e vendit tonë. Ata kanë dhënë jetën e tyre për Shqipërinë. Luigj Gurakuqi u vra në një periudhë të trazuar për Shqipërinë, në një kohë të turbullt për Italinë dhe në dekadë të mjegullt për Europën dhe botën”.
“Luigj Gurakuqi nuk ishte një figurë as rastësore dhe as episodike, por një personalitet me rol vendimtar për fatin e Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar. Ishin vitet kur Shqipëria po bëhej dhe patrioti dhe shtetari, luftëtari dhe dijetari ynë i madh ishte gjithmonë aty. Ishte ndër më të spikaturit burra të Shqipërisë që i doli zot atdheut të vet me dije e me penë, por edhe me betejat e tij. Ishte jo vetëm një dijetar poliedrik, por edhe një luftëtar për pavarësinë e Shqipërisë. Luigj Gurakuqi nuk u bë ndër burrat më të shquar të Shqipërisë as në një ditë dhe as rastësisht. Ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar, i cili gjithashtu, për një koincidencë të trishtë, e kishte dhënë frymën e fundit, para gjashtë vjetësh, po në Itali, në Perugia”, theksoi Spiropali.
Kryeparlamentarja theksoi se “Gurakuqi ishte gjithashtu bashkëpunëtori më i ngushtë i demokratit liberal, Shkëlqesisë së Tij, Fan Noli, i cili shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë gjatë vitit 1924 dhe në qeverinë e të cilit Gurakuqi shërbeu si Ministër i Financave”.
“Si deputet i Shkodrës në Parlamentin e Shqipërisë dhe si një ndër udhëheqësit më të shquar të opozitës demokratike, gjatë viteve 1921-1924, luftoi për demokratizimin e shoqërisë shqiptare, lehtësimin e gjendjes së bujqësisë, zhvillimin ekonomik e progresin e kulturor dhe mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë nga rreziqet që e kërcënonin për një kohë të gjatë. Oratoria dhe aktiviteti parlamentar i Luigj Gurakuqit janë një referencë e çmuar për ne, parlamentarët shqiptarë”, tha Spiropali.
Sipas saj, Luigj Gurakuqi ishte një demokrat autentik dhe besonte se Shqipëria mund të qeverisej në mënyrë demokratike e liberale, por, për fat të keq, Shqipëria nuk kishte arritur në këtë fazë pjekurie shtetërore e demokratike.
“Një demokrat me ide të qarta mbi kohezionin fetar dhe social të Shqipërisë, duke kërkuar dhe argumentuar teorikisht ndarjen e besimeve fetare nga shteti dhe harmoninë mes besimeve e komuniteteve fetare, sipas parimit të artikuluar nga vetë ai: “Feja e lirë në shtet të lirë”. Në atë që do bëhej me kalimin e kohërave një ndër thesaret kulturore e kombëtare të Shqipërisë, bashkëjetesën, tolerancën dhe harmoninë fetare, është edhe kontributi i Luigj Gurakuqit. Duke qenë një patriot e diplomat i shquar, ishte edhe një nxitës dhe mbrujtës i miqësisë mes popujve, dhe shërbeu si një një urë lidhëse e miqësie mes Shqipërisë dhe Italisë, shqiptarëve, arbëreshëve dhe italianëve”, tha Spiropali.
Spiropali tha se “gjatë një shekulli, kjo qoshe dhe ky trotuar në Corso Vittorio Emmanuele, ku qytetarët e Barit kanë vendosur pllakën që përkujton vrasjen e patriotit dhe shkrimtarit shqiptar Lugj Gurakuqi, “kanë parë e kanë jetuar” shumë momente historike, të cilat kanë dëshmuar se miqësia mes Shqipërisë dhe Italisë, një ndër arkitektët e të cilëve ishte Luigj Gurakuqi është fuqizuar dhe u ka rezistuar sprovave të historisë”.
“Gjatë sfidave me të cilat historia i përballi gjatë një shekulli prej vrasjes së Luigj Gurakuqit shtetet e tyre, shqiptarët dhe italianët zgjodhën me mençuri e inteligjencë të ruajnë e të zhvillojnë miqësinë mes tyre. Kjo pllakë, sot në 100-vjetorin e vrasjes së këtij vigani liberator, siç do ta quante Fan Noli, shikon dhe konfirmon se ëndrra e Luigj Gurakuqit për një Shqipëri “në caqet e idealit të tij”, siç shprehej në përcjelljen e tij shqiptari tjetër i madh Hasan Prishtina, po realizohet”, përfundoi Spiropali.
Fraksion.com