Kthesa e beftë e politikës amerikane: “Kosova të bëhet më e dëgjueshme”
Nga Valona Tela
Përplasja diplomatike në Shtëpinë e Bardhë, mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shtangu aleatët e tyre gjetkë. Udhëheqësit e BE-së nxituan të rikonfirmonin mbështetjen për Kievin, duke u zotuar se do të punojnë së bashku drejt paqes së qëndrueshme. Transformimi i shpejtë i politikës amerikane vjen pas viteve të izolimit të Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe, pashmangshëm, shtron pyetjen: a mund të përballet Kosova me fat të ngjashëm në mosmarrëveshjen e saj me Serbinë? Disa analistë thonë jo, por, në të njëjtën kohë, sugjerojnë që Kosova të bëhet “më e dëgjueshme”.
Prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara ishin mbështetëset kryesore të Kievit – si në aspektin ushtarak, ashtu edhe atë diplomatik. Por sot, tre vjet më vonë, presidenti amerikan, Donald Trump, tingëllon më dashamirës ndaj Rusisë sesa Ukrainës.
Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, më 28 shkurt, Trump dhe zëvendësi i tij, JD Vance, patën një shkëmbim të tensionuar fjalësh me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe e ndërprenë disa herë njëri-tjetrin.
Trump e akuzoi atë se po bën “bixhoz me jetën e miliona njerëzve” dhe “me Luftën e Tretë Botërore” dhe i tha se “mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”.
Ndryshimi i politikës amerikane nuk nisi këtu, por së paku dy javë më parë.
“Sot dëgjova: Oh, ne nuk ishim të ftuar. Ju ishit atje për tre vjet. Ju nuk është dashur ta nisni kurrë. Keni mundur të bëni marrëveshje”, tha Trump më 18 shkurt.
Sivjet, në letrën që i dërgoi presidentes së Kosovës me rastin e 17-vjetorit të pavarësisë, Trump nuk e përmendi dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Ngjashëm, nuk e përmendi as në letrën që i dërgoi presidentit të Serbisë, me rastin e Ditës së Shtetësisë, po ashtu në shkurt. Në të dyja letrat, ai theksoi kryesisht rëndësinë e bashkëpunimit.
Pavarësisht kësaj, profesori Ben-Meir pret që Kosova të përballet me trysni të shtuar nga SHBA-ja, për t’i dhënë komunitetit serb më shumë autonomi – gjë në të cilën edhe Serbia këmbëngul me vite. Dështimi për ta bërë këtë, do të kishte pasoja, thotë Ben-Meir dhe numëron disa:
“Shtetet e Bashkuara mund të vendosin sanksione, mund të mos e ndihmojnë Kosovën ekonomikisht, mund t’i bëjnë presion BE-së që të mos e avancojë integrimin e Kosovës në komunitetin e saj”.
“Pra, Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë presion të konsiderueshëm, nëse duan. Kjo është arsyeja përse mendoj se nuk mund ta injoroni atë që do SHBA-ja”, thotë Ben-Meir.
Ai shton se lidhjet e Vuçiqit me Rusinë mund t’i lejojnë atij të ndikojë edhe në politikën amerikane. Ndërsa, organizimi i një takimi të mundshëm mes Trumpit e Putinit në Beograd – që është përfolur edhe më herët – vetëm se do ta forconte më tej pozicionin e Serbisë.
Për t’iu kundërvënë të gjitha këtyre, Ben-Meir thotë se Kosova duhet të tregojë fleksibilitet, pa e kompromentuar pavarësinë e saj.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet. Nëse nuk dëshironi shkëmbime territoriale, bëjeni Asociacionin dhe bashkëpunoni me Serbinë, sepse Serbia ka interes të madh në ato komuna, meqë janë të banuara me shumicë serbe. Ndaj, duhet treguar fleksibilitet në këtë drejtim”, thotë Ben-Meir.
Profesori Caplan thotë se Trump është vetëm në muajin e dytë të mandatit dhe se politika e tij e jashtme është ende duke marrë formë. Por, paralajmëron se sjellja e tij me Ukrainën duhet të shërbejë si sinjal për qasjen ndaj konflikteve të tjera të pazgjidhura, dhe t’i mbajë udhëheqësit së paku vigjilentë.
“Jam i sigurt se ukrainasit ndiejnë se janë shitur në shumë aspekte. Prandaj, janë të arsyeshme shqetësimet se Trump mund të bëjë kompromise mbi parimet, kur ato u shërbejnë interesave të tij të ngushta, interesave të SHBA-së”, thotë Caplan.
Qasja e tillë e dukshme i ka alarmuar tashmë aleatët tradicionalë të SHBA-së në Evropë. Kancelari i pritshëm gjerman, Friedrich Merz, tha se kontinenti duhet ta forcojë sigurinë e tij sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të “pavarësohet” nga SHBA-ja.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE-ja do të vazhdojë të punojë me Ukrainën “për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Por, ndryshe prej tyre, kundërshtarët historikë të SHBA-së tingëllojnë më dashamirës ndaj sjelljes dhe retorikës së Trumpit.
“Nëse do të më kishit thënë vetëm tre muaj më parë se këto do të ishin fjalët e presidentit amerikan, do të kisha qeshur me të madhe”, shkroi në X nënkryetari i Këshillit rus të Sigurisë, Dmitry Medvedev, duke komentuar deklaratën e Trumpit se “Zelensky është diktator”.
Ndërkohë që paralajmërohen takime të tjera mes SHBA-së dhe Rusisë për Ukrainën, analistët nuk presin që kontesti mes Kosovës dhe Serbisë të jetë lart në agjendën e Trumpit – sidomos së shpejti.
Ngjashëm, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur e ka uruar Trumpin për fitoren në zgjedhje, ka thënë se mezi pret të punojë me të, në dobi të përparimit dhe paqes.
Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë për aktivitetet e saj lobuese në SHBA, por në përgjigjen që mori, thuhet se “kontratat e lobimit, në përputhje me ligjet në fuqi, mbeten konfidenciale”.
Analistët thonë se për të naviguar në këtë peizazh të pasigurt, duhen, padyshim, shkathtësi diplomatike. E, nëse historia është ndonjë udhërrëfyes, aleatët e vegjël shpesh duhet të përshtaten, ose të mësohen të jetojnë me vendimet që të tjerët i marrin për ta./REL
Fraksion.com