AktualitetTë fundit

Hetimi i SPAK, pezullohen 3 shefat e policisë. Nis hetimi për shkelje të rëndë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), pas një operacioni të zhvilluar në disa qytete të Shqipërisë, ka ekzekutuar masat e sigurimit personal “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj disa punonjësve të policisë të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale.

Sipas njoftimit të AMP-së, masat e arrestit janë ekzekutuar ndaj: Nënkomisar SH. R., me detyrë Shef Seksioni për Krimet në Komisariatin e Policisë Himarë, i dyshuar për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre”.

AMP njofton se, drejtoria e Standardeve Profesionale në DPPSH, bazuar në nenin 121 të Ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit” dhe në nenin 222 të Rregullores së Policisë, ka bërë menjëherë pezullimin pa pagesë të tre punonjësve të policisë; Kryekomisar E. D., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, i dyshuar për “Trafikimi i narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre”.

Komisar E. A., me detyrë Shef Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, i dyshuar për “Kultivim i bimëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”.

Ish-punonjësi i policisë E. H., i liruar nga strukturat e Policisë së Shtetit në vitin 2022, i dyshuar për “Trafikimi i narkotikëve”, “Kultivim i bimëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre”.

AMP bën të ditur se masat e sigurimit janë caktuar pas hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e SPAK, ku janë siguruar prova dhe fakte që krijojnë dyshime të arsyeshme për përfshirjen e punonjësve të policisë në veprimtari kriminale në bashkëpunim me persona të tjerë.

Fraksion.com