Berisha për median greke: Do respektojmë afatin 5-vjeçar të paktit me Italinë për emigrantët
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë “nuk do të kenë karakterin e marrëdhënieve që kishin Rama dhe Erdogan”, thotë kreu i opozitës shqiptare, Sali Berisha, në një intervistë ekskluzive për enikos.gr.
Berisha tha se “Turqia është një aleat, një partner i Shqipërisë. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë nuk mund të jenë kurrë në dëm të një pale të tretë. Përkundrazi, Shqipëria do të ruajë marrëdhënie shumë të mira me fqinjët e vet, me Greqinë, me vende tjera, por natyrisht marrëdhënie me Turqinë do jenë marrëdhënie normale. Nuk mund të them se do të kenë karakterin e atyre marrëdhënieve që pati Rama-Erdogan, sepse nuk jam unë për ato lloj marrëdhëniesh. Jam për marrëdhënie normal, miqësore, dhe kjo është.”
Në të njëjtën kohë, Berisha flet dhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
“Unë mendoj se, zgjidhja e Marrëveshjes së detit, rikthimi dhe vendosja e kësaj marrëveshje për zgjidhje është një nga objektivat e mia. Nuk mund të imagjinohet në një vend demokratik që t’i merret mandati cilitdo për përkatësinë e tij etnike. Çdo shtetas shqiptar, me Kushtetutë, ka të drejtë dhe do ketë të drejtë të marrë çdo funksion që i besojnë qytetarët shqiptarë me votën e tyre të lirë. Dhe kjo, besoj se është përgjigja më e drejtë ndaj aktit antikushtetues, antidemokratik të marrjes së mandateve, siç ndodhi me rastin Beleri”, theksoi Berisha.
Lideri demokrat foli edhe për çështjen e pronave greke në Himarë dhe të drejtat e minoritet grek në tërësi.
“Të drejtat me pronat e cilitdo qytetar të Himarës dhe të Shqipërisë, parimi së pari, qeveria nuk mund t’i prekë ato. Unë kam qeverisur 8 vite, dhe nuk ka patur asnjë ankesë për marrjen qoftë edhe 1m2 tokë. Asnjë ankesë, sepse ka qenë jashtë çdo lloj imagjinate. Akti i parë që do të bëj, do të anuloj ligjin e investimeve strategjike, ligj me të cilin qeveria grabit tokat e cilitdo.
Së dyti, do të bëj gjithçka të pajisen, në njësi kohe sa më të shpejtë, me të gjithë dokumentacionin e rregullt, zotërit e vërtetë të tokave. Qofshin ata grekë, qofshin shqiptarë, rumunë, çfarëdo që të jenë. Qëllimi ndaj pronës është një dhe vetëm një: respekti i të drejtës së pronës dhe pronarit”, tha Berisha.
Lidhur me marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët, Berisha tha se do respektohet sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Ne, kemi qenë kundër kësaj marrëveshjeje. Natyrisht, e sanksionuar nga Gjykata Kushtetuese, ne do respektojmë këtë marrëveshje në afatin e vet 5-vjeçar”, nënvizoi Berisha.
Kreu i PD-së është ndalur edhe te zgjedhjet e 11 majit, ndërsa është shprehur se “dëmi që ka pësuar Shqipëria në vitet e narkodiktaturës është i jashtëzakonshëm”.
“Dhe, unë nuk mund të them se përgjegjësit kryesorë, ndër të cilët është Rama, nuk do përballen me ligjin. Nuk është ndërmendja ime kjo. Por, pasojat e narkodiktaturës qenë të këtilla, saqë shumë vështirë të mendohet se do mund t’i shpëtojnë ligjit ata që vendosën narkodiktaturën në Shqipëri”, thotë Berisha.
Kreu i PD-së u pyet edhe për rolin e Chris LaCivitas, menaxherit të fushatës së Donald Trump që do të menaxhojë njëherësh edhe fushatën e Partisë Demokratike në prag të zgjedhjeve të 11 majit.
“Kam mbështetje totale dhe të plotë të Chris LaCivita që bashkdrejtoi fushatën më të suksesshme të kohërave. Është kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan, por nuk është i kontraktuar në emër të Presidentit Trump. Për shumë arsye, Partia Demokratike e Shqipërisë mbështeti Partinë Republikane Amerikane në zgjedhje, dhe në këtë aspekt ajo është një aleat shumë i çmuar i yni”, theksoi Berisha.
Berisha foli edhe për marrëdhëniet me qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
“Ne jemi për marrëdhënie shumë të mira me fqinjët. Probleme nuk është se nuk janë krijuar këto kohë. Mendoj se, ne nuk do të pajtohemi me një regres të të drejtave të shqiptarëve në këtë republikë. Shpresoj që, dialogu, besoj gjithmonë tek dialogu, tek fryma konstruktive. Me dialog është plotësisht e mundshme të zgjidhim çdo problem që kemi”, u shpreh Berisha.
Fraksion.com