“2025 viti i diasporës shqiptare”, Berisha nga Milano: Me votën tuaj do shpëtoni kombin, firmosni rotacionin
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ditën e sotme ka mbajtur një takim me bashkëatdhetarët në Milano. Në takimin e tij me diasporën në Milano, Berisha shprehet se viti 2025 është viti i diasporës shqiptare.
Kreu i demokratëve iu drejtohet shqiptarëve në Milano duke u kujtuar atyre rrugën e vështirë drejt një vendi të huaj, ku arritën të jenë të suksesshëm pas shumë vështirësish.
Por, çdo gjë e ka një fund, diktaturat nuk jetojnë dot. Viti 2025 erdhi. Vitin 2025, e shpall sot para jush vitin e bekuar të diasporës shqiptare. Vitin e shqiptarëve të lirë që kudo në botë ngritën lart emrin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Vitin e shqiptarëve që përsërisin me vete se, do t’i dalin zot Shqipërisë. Vitin tuaj, njerëz të suksesit, që erdhët drejt të së panjohurës, dhe me mundin, djersën, gjeninë tuaj krijuese u shndërruat në punëtorë të ndershëm, fituat respekt dhe dinjitet në këtë vend, u bëtë mjekë, inxhinierë, studiues, akademikë, biznesmenë të shkëlqyer. Jeni pra, komuniteti më i integruar në këtë vend”, tha Berisha.
Berisha ndër të tjera shprehet se vota e emigrantëve do të jetë vota për ndyshim. Ai thekson se emigrantët me votën e tyre do të firmosin rotacionin dhe fundin e narkodiktaturës.
“Viti 2025, është viti i diasporës shqiptare, sepse këtë vit ju i bëni Shqipërisë, i bëni kombit, i bëni familjeve tuaja ndër dhuratat më të bukura, më të çmuara që keni bërë në jetën tuaj. Këtë vit, ju me votën tuaj, me vullnetin tuaj të palëkundur firmosni fitoren e PD dhe opozitës shqiptare, firmosni rotacionin, firmosni fundin e narko diktaturës. Vota juaj, nuk është votë vetëm për një parti, nuk është votë vetëm për ndryshimin e pushtetit, është votë për ndryshimin e dheut tuaj, për shpëtimin e kombit nga një katastrofë të cilën e zhyti narkodiktatura. Miq, historia edhe përsëritet. Në vitin 1992, shqiptarët me votën e tyre u ndanë nga diktatura oruelliane-staliniste, më e keqja që kishte parë Europa pas luftës së Dytë Botërore. Në atë lëvizje ishin studentët liberatorë, ata që u bënë promotorët e fitores. Në vitin 2025, jeni ju shqiptarët e diasporës, njerëz të lirë, atdhetarë të flaktë që po bëheni promotorë të fitores së 11 majit! Zoti ju bekoftë!”,thekson Berisha
Fraksion.com