AktualitetBota+Të fundit

Zelensky largohet nga Shtëpia e Bardhë, Trump thotë se “mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”

Një takim i rëndësishëm mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenky dhe presidentit amerikan, Donald Trump ka përfunduar të premten me tone të ashpra në Zyrën Ovale – Zelensky është larguar nga Shtëpia e Bardhë, ndërsa Trump ka thënë se “ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”.

Zelensky është larguar pa nënshkruar marrëveshjen për minerale me Trumpin, e cila ka qenë në krye të agjendës së takimit. Edhe një konferencë e planifikuar për media, është anuluar.

Këto zhvillime të pazakonshme kanë ngritur pikëpyetje për mbështetjen e mëtejme amerikane për Ukrainën, teksa mbrohet kundër luftës së nisur nga Rusia më 2022.

Largimi i hershëm i Zelenskyt ishte rezultat i takimit në të cilin ai bëri thirrje për garanci amerikane të sigurisë, dhe kërkoi që të mos bëheshin “kompromise me vrasësin” – referencë e qartë për presidentin rus Vladimir Putin, teksa Trump ka thënë se Ukraina duhet të bëjë koncesione dhe Kievi duhet të jetë më

Çfarë ndodhi?

Zelensky e ka sfiduar hapur Trumpin për qasjen, siç ka thënë ai, të butë ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.

Zelensky i ka hedhur poshtë pretendimet e Trumpit se qytetet ukrainase janë kthyer në gërmadha pas tre vjetëve të luftës. Trump, në anën tjetër, ka thënë se Putin dëshiron të arrijë një marrëveshje.

“Nuk jeni duke u treguar falënderues. Nuk është gjë e mirë”, ka thënë Trump, i cili ka marrëdhënie të vështirë me Zelenskyn, prej kur ky i fundit është zgjedhur president më 2019.

“Në këtë situatë do të jetë shumë e vështirë që të bëjmë biznes”, ka shtuar ai.

“Jeni duke luajtur bixhoz me jetët e miliona njerëzve”, ka thënë Trump.

“Jeni duke luajtur bixhoz me Luftën e Tretë Botërore, dhe kjo që po bëni është shumë pa respekt ndaj shtetit që ju ka mbështetur shumë më shumë sesa njerëzit e thonë”.

Në një situatë të pazakonshme, Trump dhe Zelensky e kanë ndërprerë njëri-tjetrin dhe presidenti amerikan i ka thënë homologut të tij, “shteti juaj është në telashe të mëdha. Nuk jeni duke fituar… keni mundësi të dilni prej kësaj situate me ndihmën tonë, sepse ju nuk i keni kartat në duar”.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance është përfshirë në diskutime, dhe i ka thënë Zelenskyt se nuk është e hijshme që të mbajë këtë qëndrim në Shtëpinë e Bardhë.

“Njerëzit janë duke vdekur, jeni duke mbetur pa ushtarë”, i ka thënë Trump, Zelenskyt, teksa diskutimi ka degjeneruar me ngritje të zërit.

Reagimet pas takimit

Trump ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Truth Social se “presidenti Zelensky nuk është gati për paqe, nëse në të përfshihet Amerika, sepse ai beson se përfshirja jonë i jep atij një avantazh të madh në negociata”.

“Nuk dua avantazh, dua PAQE. Ai nuk i ka respektuar Shtetet e Bashkuara në Zyrën Ovale. Mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”, ka thënë mes tjerash Trump.

Zelensky, në anën tjetër, e ka falënderuar Amerikën për mbështetjen dhe për vizitën.

“Faleminderit presidentit, Kongresit dhe popullit amerikan. Ukraina ka nevojë për paqe afatgjatë dhe jemi duke punuar për këtë”, ka thënë ai përmes një postimi në X – dikur Twitter.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka falënderuar Trumpin përmes një postimi në X, duke thënë se ai e ka mbrojtur Amerikën “në një mënyrë që asnjë president nuk ka pasur kurajë ta mbrojë më parë”.

“Faleminderit që e vendosët Amerikën të parën, Amerika është me juve”, ka thënë mes tjerash ai.

Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se “Ukraina është Evropë”.

“Ne qëndrojmë me Ukrainën. Do të rrisim mbështetjen për Ukrainën, që ajo të mund të luftojë agresorin. Sot është bërë e qartë se bota e lirë ka nevojë për lider të ri. Na takon neve, evropianëve, të marrim përsipër këtë sfidë”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë për mediat nga Portugalia se “agresorja është Rusia”.

“Mendoj që kemi pasur të drejtë kur i kemi ndihmuar Ukrainës dhe kur e kemi sanksionuar Rusinë tre vjet më parë, dhe do të vazhdojmë të bëjmë ashtu”, ka thënë ai për mediat.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, e ka falënderuar Trumpin për qasjen e tij.

“Burrat e fuqishëm bëjnë paqe, të dobëtit bëjnë luftë. Sot presidenti Trump u pozicionua guximshëm për paqe. Edhe pse për shumëkënd ishte e vështirë për ta gëlltitur”.

Takimi është zhvilluar më pak se 10 ditë pasi Trump e ka quajtur Zelenskyn diktator dhe ka sugjeruar gabimisht se Ukraina e ka nisur konfliktin, që tashmë ka hyrë në vitin e katërt.

Megjithatë, dy liderët janë zmbrapsur nga lufta e fjalëve, teksa janë përgatitur për t’u takuar ballë për ballë./rel


Fraksion.com