Veliaj sërish nga qelia: Prokurori më ka faturuar si korrupsion shtëpinë modeste të një familjeje në Yrshek
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar sërish në lidhje me akuzat e ngritura ndaj nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit, shkruan në një postim në rrjetet sociale se prokurori Ols Dado i ka faturuar si korrupsion edhe një shtëpi modeste të një familjeje në Yrshek, e ndërtuar me dokumentacion ligjor nga shoqëria “Fusha”. Sipas Veliajt, prokurori e di se si për një shtëpi 1-katëshe, ashtu edhe për një pallat shumëkatësh, ligji kërkon që ndërtimi të bëhet nga një shoqëri me licencat përkatëse.
Veliaj solli dhe pamje nga shtëpia njëkatëshe në Yrshek.
Reagimi i Veliajt:
Shikojeni pak këtë video për të kuptuar se deri ku shkon fantazia e shfrenuar, prej prokurori ndërtues, e Ols Dados, i cili ka stisur aq shumë në dosjen e rremë kundër meje, saqë më ka faturuar si korrupsion edhe këtë shtëpi modeste 1-katëshe, që një familje e nderuar nga Yrsheku, me kursime e borxhe, ka ndërtuar me dokumentacionin ligjor të dhënë nga shoqëria “Fusha”. Prokurori ndërtues e di shumë mirë që për të aplikuar për leje ndërtimi, si për një shtëpi 1-katëshe, ashtu edhe për një pallat shumëkatësh, ligji kërkon që ndërtimi të bëhet nga një shoqëri me licencat përkatëse.
Familja punëtore nga Yrsheku, ndryshe nga prokurori ndërtues, nuk është paraqitur asnjëherë në Bashkinë e Tiranës për t’u interesuar për lejen e ndërtimit dhe ec e merre vesh tani se si paskam bërë unë korrupsion me Fushën, për këtë shtëpi me sipërfaqe 90m2.
Fraksion.com