Rama: Votën e pensionistëve e kam pasur dhe e kam si vlerësim për punën
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot një qytetari në rubrikën “Sy m’Sy”, lidhur me Bonusin e Pranverës për pensionistët.
Rama u shpreh se, votën e pensionistëve e ka pasur dhe bonusi nuk jepet për votën.
“Votën e pensionistëve unë e kam pasur dhe e kam si vlerësim për punën nga njerëz që kanë jetuar me punë dhe që punës i dinë vlerën, i dinë sikletin, i dinë dhe kimetin”, tha Rama.
“Pensionistët kanë të gjithë admirimin dhe mirënjohjen time dhe tonën dhe me reformën e pensioneve në mandatin tonë të parë ne kemi bërë që kush ka dalë në pension pas reformës të ketë një pension më dinjitoz”, tha Rama.
Ndërkohë që, shtoi kreu i qeverisë, “plagën e tmerrshme të trashëgimisë së shkatërrimit total të logjikës së skemës së pensioneve përpara sesa ne të vinim në detyrë po përpiqemi tani ta kurojmë, qoftë me rritjen e sasisë dhe të numrit të bonuseve, qoftë me reformën e re që po bëjmë”.
Por, ama, theksoi Rama, “pa krijuar një piramidë tjetër fatale si ato të Sudes, Rrapushit dhe “bufit të kënetës””.
“A mjafton? Pa diskutim që nuk mjafton. Por, a është shumë më tepër se dje? Të mohosh këtë do të thotë që të mos mendosh me mendtë e tua, por të flasësh çfarë të vë në gojë llumi i kënetës”, tha Rama.
Një tjetër qytetareje, e cila i shkruan se “Pse u harxhuat kaq shumë?”, Rama iu përgjigj se, “në qoftë ironi, e pranoj me keqardhje! Me keqardhje për ju, Dhurata! Në qoftë keqardhje, unë ju pyes: A i jepni dot ju prindërve tuaj më shumë lekë sesa ju keni mundësi nga çka fitoni nga puna? Patjetër që do donit t’i jepnit shumë më shumë, kjo nuk diskutohet, por nuk u jepni dot se e dini mirë që duhet të hyni në borxh. Dhe e dini mirë që po hytë në borxh për t’u dhënë sot më shumë, atëherë nesër jo vetëm s’do t’u jepni dot më asgjë, por do të humbin edhe shtëpinë tuaj. Njësoj siç ndodhi me piramidat pra. Është e njëjta logjikë”.
“Kështu që them përsëri, pensionistët e kuptojnë më mirë se të tërë vlerën e kësaj përpjekjeje të sinqertë. E dinë më mirë se kushdo që flet e s’di ç’thotë në emër të tyre që bonusi i dytë brenda më pak se 6 muajsh, falë të ardhurave që u rritën mbi parashikimet si pasojë e zgjerimit të ekonomisë, është një buqetë me lule dashurie, respekti, përulësie ndaj tyre dhe ta gëzojnë”, tha Rama.
“Të tjerat? Të tjerat ua thonë vetë pensionistët në 11 maj, siç ua kanë thënë edhe kur merrnin vetëm një bonus 3 mijë lekë në fund të vitit, sepse ata dhe unë në të paktën një gjë jemi shumë njësoj, dimë kuptimin e fjalës “punë” dhe çmojmë vlerën e fjalës Shqipëri”, u shpreh Rama.
Më herët sot kryeministri Rama njoftoi se Bonusi i Pranverës nis shpërndarjen nga e hëna për 730 430 pensionistë, brenda a jashtë vendit, pranë çdo pike të Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë.
Fraksion.com