“Spitale ke bërë, por janë kot”, Rama: Ishin me shtretër lufte kur morëm detyrën, bëmë 400 qendra të reja shëndetësore nga e para
Kryeministri Edi Rama u ndal sot te transformimi i sistemit shëndetësor në vend dhe investimet që kanë ndryshuar gjendjen në të cilën gjendej shëndetësia para se qeverisja socialiste të merrte detyrën.
Përmes një videomesazhi në rubrikën “Sy m’sy”, Rama iu përgjigj një komentuesi i cili u shpreh se “spitale ke bërë, por janë kot”.
Duke iu përgjigjur komentit, Rama tha se nuk e kupton si mund të jenë kot 53 spitale të reja, nga të cilat 10 nuk ekzistonin dhe 43 u shembën përtokë dhe u ribënë komplet nga e para me standardet më të larta europiane.
Kryeministri solli në vëmendje situatën në të cilën gjendej shëndetësia para se qeveria socialiste të merrte detyrën.
“E morëm detyrën me një Shqipëri me spitale që ishin ndërtuar në vitet ’60-’70 dhe ishin vetëm arnuar në vitet ’90-2000. Një tmerr me shtretër lufte akoma me batanije nga ato ushtaraket me qime si letër smeril. Banjo me ujë që rridhnin korridoreve gjithandej, ilaçe harroje, pajisjet për operacione ishin të shekullit të kaluar, niveli i sterilizimit mysybet”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje se infeksionet postoperatore ishin më të lartat në Europë.
“Mjekët heronj jepnin e merrnin si në luftë në mes të Europës të shekulli 21. Autoambulancat ndizeshin me të shtyra dhe urgjencat vareshin nga oraret e gjumit të rojeve, që i linin hapur ato telefonat për të mos u përgjigjur, me atë telin varur. Nuk po flas për qendrat shëndetësore, mesjetë e thellë katastrofë”, shtoi ai.
Ndërsa sot, Rama tha se janë 400 qendra të reja shëndetësore të bëra nga e para që u shërbejnë 1.6 milionë qytetarëve.
Po ashtu kryeministri theksoi se kemi një Urgjencë Kombëtare me 320 automjete të pajisura me aparatura jetëshpëtuese.
“Kemi mjekë të mirëpaguar 140% më shumë se sa deri dje; infermierë me 112% më shumë se sa deri dje; paguajmë 120 milionë euro për të rimbursuar barnat; kontrollojmë gati gjysmë milionë njerëz në vit për shëndetin me analiza falas; kryejmë 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit dhe 164 lloj testesh laboratorike që deri dje bëheshin vetëm nëpër privatë, copë-copë sa këtej e sa jashtë”, solli në vëmendje Rama.
Kryeministri nënvizoi se janë kryer 16 milionë e 800 mijë ekzaminime me aparatura të fjalës së fundit dhe të gjitha janë falas.
“Ka plot akoma por po ndalem këtu duke thënë se Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ ka nisur bashkëpunimin dhe do të njehsohet me qendrën spitalore ‘SHEBA’ në Izrael që u rankua e 8-ta në botë për vitin 2024 për nivelin e lartë të ekselencës”, tha ai.
Po ashtu, kryeministri theksoi se dy spitale ultramoderne do të ndërtohen gjatë mandatit të katërt në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara dhe me strukturën më të mirë spitalore të Italisë, një nga më të mirat e botës.
“Dy ekselencat botërore do të sigurojnë që të mos kemi më nevojë të çojmë askënd jashtë, për asnjë operacion të komplikuar por jo vetëm kaq, por të vijnë këtu të kurohen edhe shqiptarët që janë jashtë, jo më oburra ikim në Turqi, Greqi dhe Itali, por në Shqipëri”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se më e mira është e gjitha përpara.
“Prandaj qentë le të lehin shumë fort deri në 11 maj, por ama karvani do të shkojë aq përpara sa Shqipëria 2030 do të jetë anëtare krenare e Bashkimit Europian”, tha ai.
Fraksion.com