Spiropali: Anëtarësimi në BE brenda vitit 2030, objektiv strategjik kombëtar
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali deklaroi sot se, Shqipëria është vendi kandidat që po ecën më shpejt dhe me më shumë vendosmëri drejt familjes evropiane.
Në fjalën e saj në Konferencën e Komisioneve Parlamentare për Integrimin Evropian/Çështjet Evropiane të Shteteve Pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asociimit të Evropës Juglindore që mbahet në Pallatin e Kongreseve, Spiropali solli në vëmendje se 20 vjet më parë në Sarajevë, disa nga vendet që aspironin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Shqipëria, Kroacia, Bosnja – Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi vendosën themelimin e Konferencës Komisioneve Parlamentare për Integrimin Evropian/Çështjet Evropiane të Shteteve Pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asociimit të Evropës Juglindore”.
Kjo theksoi Kryeparlamentarja, “ishte një përpjekje e përbashkët për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të arritur sa më shpejt qëllimin tonë të përbashkët anëtarësimin në familjen evropiane”.
Spiropali shtoi se 20 vjet më pas disa prej vendeve tona, bashkë me shtetet e tjera partnere, Kosovën, Turqinë, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën janë përsëri bashkë për të diskutuar mbi përballimin e sfidave të përbashkëta drejt anëtarësimit në BE.
“Integrimi evropian nuk është vetëm një projekt i vendeve tona, por është vetëm një projekt më vete i vendeve tona, por është edhe një projekt i përbashkët rajonal e më gjerë”, theksoi Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit u shpreh se, “ai që jemi mësuar ta quajmë procesi i zgjerimit të BE, në fakt nuk është thjesht zgjerim, është një përfshirje e vënëve evropiane aktualisht jashtë familjes, brenda saj, është një proces i natyrshëm”.
“Me pranimin e vendeve tona në BE do të ndodhë procesi i drejtë dhe krejt i natyrshëm i afrimit të kufijve, në fillim i atyre kulturorë dhe pastaj i atyre politikë, ekonomikë, në kufijtë gjeografikë të Evropës”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se mbështetja popullore për anëtarësimin në BE në Shqipëri është më e madhe se në çdo vend tjetër kandidat.
“Shqipëria nuk ka asnjë plan B, por vetëm një plan A për të ardhmen e saj që është BE”, tha Spiropali.
“Shqipëria ka shpallur aktualisht anëtarësimin në BE brenda vitit 2030, si një objektiv strategjik kombëtar”, tha Spiropali, teksa shtoi se, “ne synojmë përfundimin e procesit të negociatave brenda vitit 2027”.
“Është një plan ambicioz por dhe një qëllim plotësisht i arritshëm. Realizimi i këtij objektivi është prioriteti numër 1 i Kuvendit të Shqipërisë. Deri tani kemi çelur negociatat për 2 grup-kapituj. Sapo kemi marrë ftesën nga Presidenca polake për çeljen e negociatave për grupin e dytë dhe të tretë dhe po presim ftesën për grupin e katërt të kapitujve”, tha Spiropali.
“Shqipëria dhe ky është një konkluzion besoj i tërëpranuar, është vendi kandidat që po ecën më shpejt dhe me më shumë vendosmëri drejt familjes evropiane. Unë besoj fort që në mbyllje të legjislaturës së ardhshme Kuvendi i Shqipërisë do të jetë parlamenti i një vendi anëtar të BE-së”, tha Spiropali.
Fraksion.com