“Mundësi që nuk vjen dy herë”, Rama: Moment historik për Shqipërinë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria nuk duhet të humbasë asnjë ditë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe duhet të shfrytëzojë dritaren që është hapur në këtë moment historik të përputhjes së rrethanave të brendshme me rrethanat e sotme të BE-së.
Në fjalën e tij në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes “TEDA Tiranë” dhe kompanisë izraelite “H.A.P.I Advanced Technologies LTD” të mbajtur në COD në Kryeministri, Rama u shpreh se, “jetojmë në një kohë kapërcimi epokal në tërësi, por ama nga ana tjetër për ne, për Shqipërinë, është një bekim që të shfrytëzojmë teknologjinë dixhitale, të shfrytëzojmë inteligjencën artificiale, për të kapur, për të fituar kohën e pafundme që kemi humbur dhe për të ngushtuar hendekun e jashtëzakonshëm me vendet e zhvilluara në aspektin e progresit”.
Falë teknologjisë, shtoi Rama, “falë inteligjencës artificiale ne aktualisht tani që flasim kemi në dispozicion një mjet, një instrument që e kemi krijuar vet, në bashkëpunim me Microsoft-in për të bërë një përshpejtim eksponencial të procesit të negociatave, duke transferuar në një kohë reale të gjithë trupin e ligjeve të Bashkimit Evropian, që duhet të adaptohen në legjislacionin tonë”.
“Dhe jo vetëm kemi garantuar me këtë instrument që kohën fizike të nevojshme që për Kroacinë, që është një nga shembujt më të shkëlqyer të procesit të integrimit ishte 7 vjet ta reduktojmë brenda kornizës të vendosur bashkë me Komisionin Evropian për t’i mbyllur negociatat në 2027-ën, por edhe përmes këtij instrumenti të kemi një sërë elementësh të tjerë në dispozicion që kanë të bëjnë me analizën e impaktit të ligjeve, që kanë të bëjnë me mbivendosjet e mundshme dhe me shmangiet e tyre e kështu me radhë”, tha Rama.
“Ky është një moment historik për Shqipërinë, në të gjithë kuptimin e fjalës, sepse është hapur një dritare e një mundësie që nuk vjen dy herë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, duke shfrytëzuar një hapësirë kohore tejet të shkurtër”, u shpreh kreu i qeverisë.
Rama theksoi se, “shpejtësia e procesit me të cilin ne po përparojmë në këtë kornizë është më e larta ndonjëherë, krahasuar me të gjitha vendet, por jo sepse ne po e bëjmë shumë mirë detyrën tonë, ç’ka nuk diskutohet, por sepse BE është shumë i interesuar për shpejtësinë”.
“Është momenti historik i përputhjes së rrethanave tona të brendshëm me rrethanat e sotme të BE. Janë ata po kaq të dëshiruar sa ç’jemi ne që ky proces të mbyllet dhe Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së dhe ne kemi detyrimin që të mos e humbim këtë mundësi, të mos humbim asnjë ditë, sepse nëse nuk e realizojmë këtë kapërcim epokal në këtë hapësirë kohore, dritarja mund të mbyllet. Shumë e thjeshtë”, shtoi Rama.
Kryeministri u shpreh se, “dritarja mund të mbyllet dhe mund të fillojë historia nga e para siç e kemi parë të zhvillohet kur nuk ishte kjo përputhje e interesave. Dhe kur pavarësisht se ne bënim detyrën tonë, dilte një vend atje, ose një vend tjetër dhe thoshte jo, pavarësisht se KE rekomandonte çeljen e negociatave me Shqipërinë, Shqipëria bllokohej nga një veto këtu, nga një veto atje”.
Ky, theksoi kreu i qeverisë, “është momenti kur pritshmëria shekullore e jona për t’i përkitur një herë e përgjithmonë asaj pjese të botës ku siç thoshte Naim Frashëri, “Dielli lind atje ku perëndon”, mund të bëhet realitet”.
“Mund të bëhet realitet, por duhet të jemi të fokusuar dhe nuk duhet të humbim asnjë ditë, jo më muaj e lërë pastaj vite të tjera”, u shpreh Rama.
“Të gjitha këto procese, edhe kjo marrëveshje, janë pjesë e kësaj përpjekjeje”, tha Kryeministri Rama.
Fraksion.com