Dy vite nga tragjedia e trenave në Greqi: Protestuesit hedhin molotovë drejt kuvendit në Athinë
Në gjithë Greqinë janë thirrur protesta ndërsa sot shënohen 2 vite nga tragjedia e përplasjes së dy trenave në afërsi të Larisës. Përplasja fatale e 28 shkurtit 2023 u mori jetën 57 personave, mes tyre edhe 6 shqiptarë.
Protestat janë shtrirë në gjithë vendin me thirrjet për drejtësi. Në shenjë mbështetjeje, një pjesë e madhe e dyqaneve dhe hoteleve do të qëndrojë e mbyllur ditën e sotme. Familjarët e viktimave i kanë bërë thirrje publikut që të marrë pjesë në tubim.
Tragjedia u përkujtua edhe nga Kuvendi, ku kryetari Nikitas Kaklamanis mbajti një fjalim përvjetor, ndërsa të gjithë deputetët mbajtën 1 minutë heshtje.
Në Athinë, tubimi do të fillojë në orën 11:00 me qendër në sheshin Sintagma, dhe në Selanik gjithashtu në orën 11:00. Protestat nga qytetarë grekë pritet të organizohen edhe në vende të tjera si në Bruksel, ku tubimi do të fillojë në orën 18:00 në Place Luksemburg përpara Parlamentit Evropian. Në Romë protesta do të zhvillohet pranë stacionit qendror të trenit, duke filluar nga ora 16:00, ndërsa një protestë është parashikuar edhe në Londër.
Linjat janë pezulluar në të gjithë rrjetin hekurudhor, duke përfshirë hekurudhën periferike të Athinës. Shërbimet e metrosë për dhe nga aeroporti i Athinës nuk do të funksionojnë gjatë gjithë ditës. Fluturimet e aeroportit do të anulohen ose shtyhen dhe do lejohen vetëm fluturime për emergjenca shëndetësore apo fluturime të krerëve të shtetit.
Sindikata e Taksistëve të Atikës (SATA) u ka bërë thirrje taksistëve që qytetarëve që duan të marrin pjesë në protestë t’ua ofrojnë lëvizjen me taksi falas.
Gjatë tubimit persona të maskuar kanë hedhur molotovë drejt kuvendit në Athinë.
Fraksion.com