Bardhi: SPAK të hetojë Ballukun për aferën 80 mln euro! 2 “tigrat” e Belindës bien era korrupsion
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka bërë akuza të rënda ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar emrin e saj si sinonim të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.
Ai theksoi se në çdo rast të rëndësishëm, firma e Ballukut ngre dyshime për shpërdorimin e parave publike dhe përfitim personal nëpërmjet një skenari të paracaktuar
“Historia e termocentraleve lëvizës është e ngjashme me atë të inceneratorëve,” tha Bardhi, ndërsa kërkoi që SPAK të nisin hetimet penale për Ballukun dhe bashkëpunëtorët e saj. Ai përmendi shpalljen e papritur të emergjencës energjitike në tetor 2021, duke sqaruar se dy muaj më vonë KESH-i u autorizua të merrte me qera asete gjeneruese termike. Pas një procesi të shpejtë tenderimi, Bardhi tha se pas tre vjetësh rezultoi me blerjen e dy termocentraleve që, ashtu si inceneratorët, nuk përmbushin funksionin për të cilin u shpenzuan shuma të mëdha parash.
“Emri i Belinda Ballukut është bërë sinonim i korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Nuk ka asnjë rast, në asnjë vepër të rëndësishme, që firma e saj të mos ngrejë dyshim për shpërdorim të parave publike dhe përfitim personal sipas një skenari të paracaktuar.
E tillë është edhe afera e termocentraleve lëvizës “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, që u sollën me urgjencë nga fundi i botës për një krizë imagjinare energjitike të shpallur nga Edi Rama, disa muaj përpara nisjes së luftës në Ukrainë, që solli pasiguri globale dhe çmime të larta në tregun e energjisë. Madje as atëherë, Tigrat e Belinda Ballukut dhe Edi Ramës nuk u vendosën në punë, duke provuar se qëllimi ishte shpërdorimi i dyshimtë i 80 milionë euro dhe jo furnizimi me energji elektrike.
Historia e termocentraleve lëvizës, për të cilin i kam kërkuar zyrtarisht SPAK-it të nisë hetimet penale për Belinda Ballukun dhe bashkëpunëtorët e saj, është një histori e ngjashme me atë të inceneratorëve”, u shpreh Bardhi.
Fraksion.com