AktualitetPolitikëTë fundit

“Balluku shpalli fitues ‘Excelarate Energy’”, Bardhi: Belinda dhe ligji, dy pika që nuk takohen askund. Ministrja përfitime personale!

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në një konferencë për shtyp po sqaron provat që ka dërguar në SPAK ditën e djeshme për abuzimet nga zv kryeministrja Belinda Balluku.

Bardhi foli lidhur me aferën e Termocentraleve lëvizës, duke e cilësuar atë si një skandal të rëndë të përfshirë në korrupsion.

Sipas Bardhit, kjo aferë ka dëmtuar rëndë buxhetin e shtetit dhe ka shpenzuar padrejtësisht 80 milionë euro të shqiptarëve. Ai ka kërkuar hetim penal nga SPAK, duke theksuar disa elemente shqetësuese, si mungesën e arsyeve të emergjencës, deklaratat kontradiktore të ministrës Belinda Balluku, dhe procedurat e tenderimit të dyshimta që favorizuan një operator të paracaktuar.

Bardhi ka nxjerrë në pah faktin se kompania fituese, ‘Excelarate Energy”, ishte njoftuar për fitoren e tenderit që në muajin janar, ndërkohë që tenderi formalisht ishte ende i hapur.

 

Sipas tij, ky është një shembull tjetër i pastrimit të parave publike për interesa politike, duke përjashtuar çdo mundësi për një proces të drejtë dhe transparent.

 

Së pari, vendi nuk ishte në kushtet e emergjencës. Kryeministri nuk ka marrë në rrugë zyrtare asnjë njoftim për mungesa afatgjata të burimeve për prodhimin e energjisë elektrike.

Së dyti, ministrja Balluku është shprehur publikisht se anijet lëvizëse termike do të prodhonin energji vetëm pas 2 vitesh, duke rrëzuar arsyen e emergjencës për të cilën qeveria u investua me vendim të posaçëm.

Së treti, KESH zhvilloi procedura kaotike me afatet e tenderit për asetin gjenerues termik, të cilat ishin të ndryshme në shqip dhe në anglisht. Dhe ishin jo vetëm të ndryshme, por edhe shumë të shkurtra, me qëllim favorizimin e një operatori të paracaktuar nga shefat politikë.

Po qendroj pak tek afatet për të dhënë një informacion tjetër që provon se jo vetëm gjoja gara e hapur nga KESH, por edhe vendimi i qeverisë për të autorizuar KESH-in në këtë procedurë kanë qenë fiktivë, sepse fituesi ishte i paracaktuar.

Kompania fituese Excelarate Energy, në regjistrat zyrtarë amerikanë, ka referuar që në Janar se ishte njoftuar nga shteti shqiptar për shpalljen fituese. Pra, ndërkohë që tenderi në Shqipëri ishte ende i hapur formalisht, kompania ka njoftuar autoritetet përkatëse amerikane se e kishte fituar atë. Pala shqiptare, e përfaqësuar nga Belinda Balluku, e shpalli fituesin në mars 2022.

Besoj se askush nuk ka ndonjë dyshim se Belinda Balluku dhe ligji janë dy pika që nuk takohen askund”, tha ai.

 

Fraksion.com