“Agaçi në arrati, laptopi në prokurori”, Rama: Shpifje dhe sajesa nga këneta! Ndodhet në Itali nën mbikëqyrjen e mjekëve për rikuperim të mushkërive
Kryeministri Edi Rama informoi sot mbi gjendjen shëndetësore të Sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, i cili i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në Itali.
Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Rama reagoi ndaj akuzave të opozitës lidhur me këtë çështje, ndërsa u shpreh se “prej ditësh këneta ka marrë peng Ëngjëll Agaçin”.
Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama:
“Përshëndetje nga kryeministria. Kam nevojë të ndaj diçka revoltuese me ju. Këneta është përballë një thatësire të madhe dhe kjo është shumë e qartë. Maji do të jetë përvëlues për të dhe bufi i kënetës politike dhe mediatike e di këtë më mirë se kushdo tjetër.
Mobilizimi i krijesave të saj që nga njerzillëku dhe qytetaria janë njësoj si bretkosa e zhapikë, salamandra, mushkonja, merimanga uji e kërmij kënete, nuk ka për të ndryshuar asnjë gjë në fatin e saj të shkruar, por ama llumi helmues i kënetës, i asaj kënete që ka mbetur nga ajo që lindi si partia europiane e shqiptarëve do të mbiprodhohet deri në ditën çliruese të 11 majit dhe zhaurima histerike e atij kolektivi speciesh të ulëta politike dhe mediatike do të shqetësojë dynjanë me akuzat, shpifjet, sajesat dhe gënjeshtrat që imagjinoni do të shkojnë në një nivel të ri.
Prej ditësh këneta ka marrë peng Ëngjëll Agaçin, ka marrë peng gruan, vajzën e tij, nënën e tij të mrekullueshme, familjen të afërmit, miqtë e tij me ferman të bufit që e shpalli Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë një person në arrati nga drejtësia dhe me tam- tamet e mushkonjave anofele të kënetës mediatike, të cilat hodhën helmin e zëvendësimit të tij, e dyndjes së hetuesve të SPAK në kryeministri, e marrjes së laptopit të Sekeretarit dhe sytë që t’u dalin bashkë me qimen e bufit.
Ëngjëll Agaçi studioi në Itali drejtësi. U bë pjesë e njërës prej studiove më të njohura të avokatisë në Romë, ku punoi për shumë vite si një shqiptar dinjitoz plotësisht i integruar. U kthye në Shqipëri me ftesën time për të shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe i përket pa asnjë dyshim ajkës së juristëve shqiptarë, por njëkohësisht edhe majës së përkushtimit dhe të profesionalizmit në shërbim të shtetit tonë.
Për atë që ai përfaqëson është vlerësuar edhe me një medalje nderi nga Presidenti i Republikës italiane.
Përpara disa kohësh u nis në Itali për arsye domethënëse shëndetësore. Kaloi në tehun mes jetës dhe vdekjes si pasojë e një bllokimi të arterieve koronare për të cilin u operua në zemër dhe pas operacionit pati një ndalesë problematike pulmonare. Me fjalë të tjera, dalje të mushkërive nga funksioni, gjë që imponoi futjen në aparaturën e frymëmarrjes së drejtuar.
Pas një periudhe shumë të vështirë në reanimacion ku për disa ditë mjekët italianë rezervoheshin të jepnin çfarëdolloj sigurie se do të dilte nga situata e rëndë, ai vazhdon të jetë nën mbikëqyrjen e tyre për të rehabilituar mushkëritë e lënduara rëndë.
Është e hatashme se megjithëse Kryeministria ka bërë njoftim publik, mirë ca qimra e ca jargë të bufit në pasqyrën mediatike të folesë së tij, po i sëmuri që lufton për jetën andej është bërë mish për qoftet e klubeve të natës ekran më ekran këtu vetëm e vetëm se u fut në gojën e mendertë të bufit të kënetës, një katran me bojë i mirënjohur dhe famëkeq si shpifaraku më i madh që ka lindur toka shqiptarja dhe si shkelësi më brutal në historinë e këtij vendi, i çdo zakoni, i çdo kanuni dhe i çdo norme njerëzore.
Po mirë mo mirë dakord, kurrë mos më daçin mua, kurrë mos e votofshin PS-në ata që nuk na duan dhe që që veç të keqen do të na marrin prapë siç na e kanë marrë 9 herë rresht me thënë të drejtën, por çfarë shqiptarësh janë, çfarë qytetarësh janë, çfarë njerëzish janë që akoma mbajnë në jetën publike dhe politike të vendit me mbështetjen e votave të tyre një karikaturë të njeriut dhe një përçudnim të shqiptarit, se për qytetar as bëhet llaf fare ta llogarisësh atë mbret të llumit.
Unë nuk e di, nuk e di është e pabesueshme që mes kënetës së bufit dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian të zgjedhësh dhe brohorasësh kënetën. Gjynah i madh, mëkat”.
Fraksion.com