AktualitetBota+Të fundit

SHBA-ja dhe Rusia takohen për përmirësimin e raporteve dypalëshe

Diplomatë të lartë nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, që po shikojnë të përmirësojnë raportet, janë takuar në Stamboll për bisedime për të zgjidhur mosmarrëveshjet lidhur me misionet diplomatike përkatëse në Uashington dhe Moskë.

Diskutimet më 27 shkurt u përqendruan në përmirësimin e raporteve diplomatike, por ato u mbajtën në kohën kur të dyja shtetet po angazhohen në bisedime dypalëshe, që kanë për synim dhënien fund të luftës në Ukrainë. Këto bisedime kanë rritur frikën se dy shtetet mund të arrijnë një marrëveshje të paqes pa përfshirjen e Kievit apo Brukselit.

“Konstruktiviteti i këtyre bisedimeve do të bëhet i qartë shumë shpejt, ose çështjet do të zgjidhen ose jo. Ne do të dimë shumë shpejt nëse Rusia është vërtetë e gatshme të angazhohet në mirëbesim”, tha zëdhënësi.

Pesë javë pasi ka marrë detyrën, presidenti amerikan, Donald Trump, ka ndryshuar politikën e paraardhësit të tij, Joe Biden, që synonte izolimin ndërkombëtar të Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës tre vjet më parë.

Diskutimet në Stamboll janë pjesë e pajtimit të arritur mes sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Më 18 shkurt, delegacionet e udhëhequra nga ta u pajtuan në Arabinë Saudite që të nisnin diskutimet për misionet diplomatike.

Takimi në Riad erdhi pas një bisede telefonike mes Trumpit dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin. Trump e përshkroi këtë bisedë si “shumë produktive” dhe njoftoi për nisjen e menjëhershme të bisedimeve për dhënien fund të luftës.

Rubio tha në një intervistë për Fox News se SHBA-ja ende nuk e di nëse rusët janë të sinqertë lidhur me përfundimin e luftës, por këtë pala amerikane do ta kuptojë.

Ai tha se delegacioni amerikan shkoi në Riad për të pyetur rusët nëse dëshirojnë t’i japin fund luftës apo të vazhdojnë luftimet dhe ata u pajtuan për takime pasuese që do të përfshinin ekipe të diplomatëve në bisedime që do të çojnë në përfundimin e luftës.

“Nëse ata insistojnë në një gjë joreale, ne do ta kuptojmë se ata nuk janë të vërtetë. Por, ne duhet ta testojmë këtë”, deklaroi kryediplomati amerikan.

“Ne duhet ta dimë, dhe presidenti dëshiron ta di, nëse rusët janë të interesuar që t’i japin fund kësaj lufte apo jo”, tha Rubio. “Presidenti Trump ka bërë marrëveshje gjatë gjithë jetës së tij. Ai nuk do të përfshihet në një marrëveshje të keqe”.

Më herët, Lavrov deklaroi se bisedimet do të përqendrohen në krijimin e kushteve më të mira për diplomatët rusë në SHBA dhe për homologët e tyre amerikanë në Rusi. Dy shtetet kanë dëbuar diplomatë dhe kanë kufizuar emërimet e stafit të ri në misionet diplomatike të njëri-tjetrit që kur lufta në Ukrainë nisi tre vjet më parë.

Zëdhënësi i DASH-it tha para takimit në Turqi se palët do të bisedojnë për ambasadat dhe konsullatat ruse në Nju Jork dhe Hjuston, por jo edhe për misionin e Rusisë në Kombet e Bashkuara.

Çështjet në agjendë po ashtu përfshijnë nivelet e personelit, vizat dhe çështjet e tjera operacionale, tha zëdhënësi.

Lavrov, ndërkaq, tha se rezultati i bisedimeve “do të tregojë se sa shpejt dhe në mënyrë efektive ne mund të lëvizim”.

Bisedimet në Stamboll do të mbahen një ditë para se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensly, pritet të qëndrojë në Uashington për të nënshkruar një marrëveshje për mineralet e rralla të tokës.

Marrëveshja është në epiqendër të përpjekjeve ukrainase për të fituar mbështetje të fuqishme nga Trumpi, teksa udhëheqësi amerikan kërkon një përfundim të shpejtë të luftës. Trump tha se Zelensky do të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet e rralla të tokës dhe për tema të tjera gjatë vizitës së tij në SHBA/REL

 

Fraksion.com