Rama në kantier: Teatri i ri Kombëtar do të jetë ndër më të bukurit në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore
Pas përfundimit të punimeve të vështira të nëntokës, godina e Teatrit të Ri Kombëtar ka nisur të përvijohet ndërsa punimet pritet të përfundojnë brenda vitit.
Projekti i ri, vepër e njërit prej arkitektëve më të mëdhenj bashkëkohorë, Bjarke Ingels, e studios daneze BIG, synon të krijojë një ndërtesë që lidhet me hapësirën e jashtme, si një strukturë performuese dhe një zgjatim fleksibël i jetës publike të Tiranës, ku Teatri bëhet vetë një “aktor” në kontekstin e qytetit.
Projekti po zhvillohet në zonën ku aktualisht gjendet Teatri Kombëtar në ndërthurjen e akseve të pedonaleve. Ndërtesa është ndarë në dy pjesë: një për aktorët dhe administratën, dhe një tjetër për publikun, me funksionin kryesor teatrin. Të dy pjesët kanë akses të veçantë. Publiku do të ketë hyrje nga fasada kryesore ose një hyrje tjetër nën hark. Ndërsa pjesa e tavanit të ndërtesës do të shërbejë gjithashtu si një teatër i hapur/auditor, ku publiku mund të ulet në shkallare për aktivitete të ndryshme.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe nënkryetarja e bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, inspektoi sot punimet në këtë kantier, ku theksoi se Shqipëria do të ketë një nga teatrot më të bukur të ndërtuar në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama theksoi se Teatri i Ri do të jetë teatri më i bukur kombëtar në të gjithë rajonin.
“Duhet bërë e gjitha, sheshi mbrapa, sheshi galerisë, rruga pedonale, sheshi këtu duhet bërë e gjitha, duhet mbyll e gjitha, si një gjë komplete. Duhet bërë një gjë që të jetë si sheshi i dytë i Tiranës. Domethënë deri në fund të tetorit ne e kemi guaskën e mbyllur dhe gjithë do të shikoni se çfarë Teatri Kombëtar do të kemi përsa i përket formës arkitektonike. Do jetë pa asnjë diskutim teatri më i bukur kombëtar në të gjithë rajonin dhe do të jetë ndër teatrot më të bukur kombëtar të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, se para Luftës së Dytë Botërore ka monumente që janë të pa konkurueshme në formën e tyre ne Europë”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “kështu që, kjo është koha kur edhe pak durim dhe të gjithë ata të lënduarit me humbjen e asaj që kishim, që ishte një godinë nostalgjike, por pa asnjë lloj vlere të qëndrueshme për të vazhduar të rrinte aty, -do të ndjehen të lehtësuar sepse përveç teatrit kemi edhe një shesh komplet tjetër që fiton qendra e Tiranës, para dhe mbrapa teatrit”.
Nënkryetarja e bashkisë Ristani tha se “me karabinanë mbarojmë brenda tetorit dhe pastaj vazhdojmë me pjesën artistike. Pjesa e gjithë mekanizmave që do të ndërtohen për skenografi dhe facilitete të tjera teknologjike të skenave do të vazhdojnë më mbrapa në pjesën tjetër të kontratës. Gjithë ideja e hapësirave që krijohen, po të shikoni nga trarët që janë vendosur, për të kryer idenë e hapësirës publike që do të jetë si e shtuar nga ndërtimi. Kjo është si do të duket pamja nga ky kënd, kjo do jetë shkallarja që ngjit për tek hapësira që është jashtë e anfiteatrove sipër”.
Teatri i Ri do të jetë i integruar edhe me infrastruktura të tjera, të lidhura me artin, që do të ndërtohen.
“Janë rreth 4500 metra katrorë shesh publik deri në pjesën e pasme. Folëm dhe me arkitektët për pjesën e hapësirës publike dhe marrëdhënien me Muzeun e Ri te arteve të bukura, atë që folëm herën e fundit në inspektim, që ta integrojmë të gjithën”, u shpreh Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja.
Gonxhja tha se “do t’i dalim para edhe të pjesës teknologjike të skenës sepse kjo e çon deri në një nivel të caktuar dhe bën gati. Po ngremë grupet qe tani me Teatrin Kombëtar që t’i dalim para, të mos mungojë asgjë”.
Teatri i Ri Kombëtar në Tiranë do të jetë një nga ndërtesat më të bukura në rajon. Ky teatër do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, por edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Evropë.
Fraksion.com