LVV-ja prin me vota nga përfaqësitë diplomatike
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon numërimin e votave nga përfaqësitë diplomatike dhe nga 44.19 për qind e vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje prin me 81.89 për qind apo 3.305 vota.
Në vendin e dytë është Lidhja Demokratike e Kosovës me 291 vota, apo 7.21 për qind. Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 5.75 për qind apo 232 vota, pasuar nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët e Intelektualët me 1.54 për qind apo 62 vota.
KQZ-ja ka njoftuar se pas numërimit të votave për partitë do të publikojë edhe rezultatet e kandidatëve për deputetë.
Numërimi i këtyre votave nga diaspora për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit nisi pasditen e 26 shkurtit.
Më 8 shkurt, për herë të parë Kosova organizoi votim fizik të pjesëtarëve të mërgatës në përfaqësitë diplomatike të shtetit në botë.
Votimet u mbajtën në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, në 19 shtete të ndryshme të botës.
Pjesëmarrja në votimet në ambasada dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë ishte 73.56 për qind, përkatësisht nga 20.324 persona të regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike, 15.552 prej tyre e shfrytëzuan këtë të drejtë.
Pjesëtarët e diasporës po ashtu kanë votuar edhe përmes postës. Por, ato vota, së bashku me votat me kusht brenda Kosovës dhe votat e personave me nevoja të veçanta do të nisin të numërohen në ditët në vijim, pasi të jenë skanuar listat përfundimtare të votuesve të 9 shkurtit, në mënyrë që të shmangen rastet e votimeve të dyfishta.
Ndërkaq, sipas rezultateve preliminare, që përfshijnë numërimin e votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.80 për qind të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05 për qind. E treta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64 për qind të votave, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46 për qind të votave të fituara. Nga partitë e komunitetit serb, më së shumti vota ka marrë Lista Serbe, përkatësisht 4.62 për qind./REL
Fraksion.com