“Ju ka zënë paniku sepse kemi marrë rrokopujën”, Noka-deputetëve të PS-së: 6000 shtetas shqiptarë i përjashtuat nga e drejta e votës
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, në fjalën e tij në Kuvend e cilësoi aktin normativ për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit si një gjest urrejtjeje.
Sipas Nokës, duhet të shtyhet afati i vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit edhe për shtetasit shqiptarë që jetojnë brenda vendit.
“Këtë aktin normativ që keni sjellë ju, është një gjest i deklaruar urrejtje për çdo shqiptar që jeton në Shqipëri. Po si mund të sjellë një qeveri të sjellë një akt normativ për shtesa në ligjin që ka të bëjë me pajisjen e shtetasve me pasaportë për jashtë shtetit dhe të thotë që afati do të shtyhet për ata që jetojnë jashtë, po jo për ata që jetojnë brenda”, tha Noka.
“Një pyetje kam, se nuk besoj që ta bëni nga injoranca, jam i bindur që e bëni nga ligësia. Të njëjtën gjë e bëtë dhe në Himarë me një të rënë lapsit. 6000 shtetas shqiptarë i përjashtuat nga e drejta e votës, e drejta e votës është e drejtë kushtetuese”, u shpreh Noka.
“Shtyrja e afatit për pasaportat ka qenë një rutinë që çdo qeveri e ka bërë gjithmonë, për t’i krijuar shtetasve të votojnë të gjithë sepse është e drejtë kushtetuese”, tha Noka.
Sipas Nokës po diskriminohen të drejtat e shqiptarëve.
“Tani unë e kuptoj se çfarë ndodh me ju. Ju ka zënë paniku, të diskriminojmë të drejtat e shqiptarëve sepse kemi marrë rrokopujën”, tha Noka.
Duke iu drejtuar mazhorancës, Noka tha se për herë të parë nuk ka guxuar të përmenden Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Pata një kënaqësi të veçantë sot, pasi ju nuk guxuat të përmendni Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hera e parë në këto vite që ju nuk guxoni ta përmendni. Kur shoh bijtë e Traktatit të Varshavës që nuk guxojnë të përmendin Amerikën kjo është Amerika e vërtetë që i diferencon dhe dallon kush janë neokomunistët dhe kush janë ata që e duan vendin e vet dhe zhvillimin. Ju nuk guxuat, ja ku erdhi dita”, tha Noka.
Noka shtoi më tej “ju flisnit në emër të Amerikës. Ne jemi shqiptarë dhe flasim në emër të Shqipërisë, por mirënjohje SHBA-së që mbështet një Shqipëri demokratike dhe jo atë regjim autokratik të Sorosit”.
Noka nënvizoi se në Kongresin e SHBA-së dje u tha se “George Soros ka ngritur një sistem drejtësie për të persekutuar dhe burgosur liderin e opozitës. E tha SHBA, dje gjatë gjithë ditës ka pasur vetëm një kryefjalë Soros duke ndihmuar regjimet autokratike duke luftuar opozitën. Dje në kongres çështja e burgosjes së Berishës ishte kryefjalë”.
Fraksion.com