“Jemi një hap larg ëndrrës shekullore”, Rama: Të shfrytëzojmë këtë moment të mbyllim negociatat deri në fund të 2027-ës!
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sot live pyetjeve të adresuara në platformat sociale.
Në bashkëbisedimin “Sy m’ Sy” me qytetarët, Rama u pyet nëse e ka zënë frika se Partia Demokratike mund të vijë në pushtet.
Kreu i qeverisë u shpreh se, e zë frika që koha që kemi në dispozicion të mos shfrytëzohet maksimalisht.
“Shqipëria sot është në një oportunitet historik. Kemi një dritare të hapur për të hyrë në Bashkimin Evropian. Dritare e hapur për herë të parë. E hapur si rezultat i përputhjes i rrethanave tona me BE-në. Është një dritare që është e hapur për ne, por që nuk do të jetë e hapur aty pafundësisht dhe ne duhet të shfrytëzojmë këtë moment, duhet të shfrytëzojmë këtë kohë, duhet të mbyllim negociatat deri në fund të 2027-ës, siç kemi bërë planin dhe duhet të hidhemi brenda që kur dritarja të mbyllet ne duhet të jemi brenda në BE përfundimisht dhe pa kthim dhe të fitojmë atë statusin e munguar për shumë e shumë vite të të barabartëve mes të barabartësh në kontinentin ku Zoti na ka dhënë një vend të mrekullueshëm, por historia na ka privuar në mënyrë të vazhdueshme nga marrja pjesë në këtë kontinent në anën e mirë të tij. Na ka privuar duke na vendosur mbi kokë lloj-lloj regjimesh, lloj-lloj satrapësh, lloj-lloj hajvanësh”, tha Rama.
Natyrisht, shtoi kryeministri, “kjo ka qenë një histori e gjatë poshtërimi ën breza nga të huajt, nga vetja. Unë them më shumë nga vetja se nga të huaj , por kjo është temë tjetër. Tani ky është momenti për të menduar si shqiptarë”.
Rama nënvizoi se, Shqipëria sot është vetëm një hap nga realizimi i një ëndrre shekullore.
“Duhet menduar si shqiptar në këtë moment, nuk duhet menduar as si socialist, as si demokrat. Nuk duhet menduar, as më pëlqen as nuk më pëlqen Edi Rama. As sa ministra janë në burg, as sa ministra s’janë në burg”, tha Rama.
Se, shtoi Rama, “po qe puna aty edhe mund ta bëjmë llogarinë. Në 3 mandate kanë qenë rreth ose mbi 60 ministra. Numërojini pak 2 ministra janë dënuar nga mandati i parë, njëri i PS-së, njëri i aleatit strategjik, ndjesë pastë, partia aleate strategjike. Pastaj një i tretë në paraburgim sot e gjithë ditën, por i padënuar ende që prezumohet i pafajshëm sipas drejtësisë evropiane dhe një i katërt në arrati zv/kryeministri. Katër.”
Fraksion.com