Hamasi i dorëzon Izraelit trupat e katër pengjeve
Hamasi dorëzoi trupat e katër pengjeve izraelite ndërsa qindra të burgosur palestinezë pritet të lirohen nga Izraeli, në një shkëmbim gjatë natës, i fundit si pjesë e një armëpushimi të brishtë në Gazë.
Armëpushimi hyri në fuqi më 19 janar dhe është respektuar përgjithësisht, pavarësisht pengesave të shumta. Por faza e parë e tij do të përfundojë këtë javë dhe fati i fazës së ardhshme, që synon t’i japë fund luftës, mbetet i paqartë. Hamasi tha se nuk ka marrë ndonjë propozim deri më tani.
Pas disa ditësh ngërçi, ndërmjetësit egjiptianë siguruan dorëzimin e trupave të katër pengjeve të fundit në fazën e parë të marrëveshjes, në këmbim të 620 palestinezëve të arrestuar nga forcat izraelite në Gazë ose të burgosur në Izrael.
Izraeli kishte refuzuar lirimin e të burgosurve të shtunën pasi Hamasi dorëzoi gjashtë pengje në një ceremoni të inskenuar duke shfaqur para një turme në Gazë pengjet dhe arkivolet me eshtra të pengjeve të vdekura, përpara se t’i dorëzonte, një veprim që ngjalli kritika të ashpra, përfshirë nga Kombet e Bashkuara. Dorëzimi i fundit nuk u shoqërua me një ceremoni të tillë.
Izraeli mori arkivolet me eshtrat e katër pengjeve, tha zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu në orët e para të së enjtes. Hamasi kishte identifikuar më parë trupat duke thënë se ata ishin të Tsachi Idanit, Itzhak Elgaratit, Ohad Yahalomit dhe Shlomo Mantzurit, të cilët u rrëmbyen gjatë sulmit të 7 tetorit 2023 nga shtëpitë e tyre në një kibuc pranë Gazës.
Trupat po i nënshtrohen identifikimit fillestar në territorin izraelit dhe njoftimi zyrtar do t’u jepet familjeve të pengjeve pasi të përfundojë procesi, tha zyra e zotit Netanyahu në një deklaratë.
Një ekzaminim i plotë mjeko-ligjor për të përcaktuar shkakun e vdekjes për katër pengjet e fundit të dorëzuar do të bëhet në vazhdim, sipas ministrisë izraelite të shëndetësisë.
Rreth 30 pengje janë vrarë në Gazë, sipas autoriteteve izraelite. Disa u vranë nga Hamasi dhe disa si pasojë e sulmeve izraelite.
Fraksion.com