AktualitetPolitikëTë fundit

GJKKO ndryshon masat e sigurisë për “Bujqësorin”, Rama: S’preket aleanca me Universitetin e Vjenës, fajtorët nuk shpëtojnë

Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me rrëzimin e 20 masave të sigurisë (nga 24) në Universitetin Bujqësor nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Rama u shpreh se është i lehtësuar nga ky lajm sepse drejtësia për shkeljet e pretenduara të tre viteve më parë, as nuk pengohet as nuk ndihmohet nga ato masa sigurie.

“Ja pse jam i lehtësuar me lajmin e rrëzimit në Gjykatën Speciale të 20 masave të sigurisë (nga 24) në Universitetin Bujqësor: Drejtësia për shkeljet e pretenduara të tre viteve më parë, as nuk pengohet as nuk ndihmohet nga ato masa sigurie, ndërsa jeta personale e familjare e kujtdo qoftë që mund të jetë krejt i pafajshëm, kthehet në një ferr padrejtësie me pasoja traumatike. Prokurorët dhe gjykatësit mund ta bëjnë tani pa asnjë ndryshim, deri në fund, detyrën e tyre dhe fajtorët e mundshëm nuk kanë asnjë shans të shpëtojnë, nëse kanë prekur fondet publike. Por ama jeta universitare nuk merret peng, reputacioni i universitetit nuk mbytet në llumin mediatik, stabiliteti psikologjik i komunitetit të pedagogëve, studentëve, prindërve nuk lëndohet, ndërkohë që drejtësia vazhdon qetësisht punën e vet. Aleanca strategjike e UBT me Universitetin BOKU të Vjenës, që u krijua me një përpjekje të madhe të qeverisë dhe programi ambicioz i transformimit rrënjësor, e i njehsimit të diplomave BOKU/UBT2030 nuk kërcënohet më nga humbja e besimit të partnerëve austriakë përballë panoramës lemeritëse të 24 masave të sigurisë, a thua se bëhet fjalë për ndonjë operacion në fshatin Corleone!”, shkruan Rama në një reagim në platformën X.

Rama u shpreh se, “duam luftë pa kompromis kundër korrupsionit, ndëshkim pa mëshirë për çdo dorë që hyn në xhepat e popullit, por po ashtu, nuk mund të bëjmë kompromise në mbrojtje të normave demokratike evropiane të drejtësisë”.

“Pas 100 e kusur vitesh e kemi tërhequr pushtetin politik nga fusha e drejtësisë dhe ia kemi lënë drejtësisë të na hetojë e gjykojë edhe ne, si të gjithë të tjerët, nëse shkelim ligjin”, theksoi ai.

Rama nënvizoi se, “shpatën e ndëshkimit ia kemi dorëzuar SPAK-ut. Peshoren e drejtësisë ia kemi besuar Gjykatës Speciale. Por fashon e pavarësisë e paanësisë prokurorët, e sidomos gjykatësit, duhet ta bëjnë pa humbur kohë pjesë të lëkurës së tyre profesionale, në respekt të prezumimit të pafajësisë, të lirive e të drejtave të njeriut, të standardeve demokratike të drejtësisë evropiane”.

Prandaj, shtoi kreu i qeverisë, “shpatën ta mbajnë lart, e kanë gjithë mbështetjen tonë. Peshorja është e tyrja, nuk ndërhyjmë në brendinë e çështjeve. Por sa herë do t’ua shohim sytë të pambuluar e deri edhe me gjak, nuk do të ngurrojmë ta themi publikisht.  Drejtësia e re e Shqipërisë 2030 në BE duhet të jetë si kjo statujë e Zonjës së Drejtësisë. Për të gjithë. Gjithnjë”.

GJKKO ka lënë në fuqi masat e sigurisë ‘arrest burg’ për 5 të arrestuarit në hetim për abuzime me tendera në Universitetin Bujqësor të Tiranës, për 5 të tjera është ndryshuar masa e sigurisë nga arrest shtëpie, në detyrim paraqitje.

Gjithashtu, gjykata vendosi një ditë më parë masën e sigurisë detyrim paraqitej  për 15 persona të tjerë.

Arrest në burg

  1. Edmond Tërthorja
  2. Amarildo Lleshi
  3. Mehmet Qoshja
  4. Altin Murto

Arrest në shtëpi

  1.  Agim Sefa
  2.  Arjan Buliqi
  3. Artur Koleci
  4. Radion Dhromi

Detyrim paraqitje

  1. Serafin Skënderi
  2. Ilir Kusi
  3. Dritan Laçi
  4. Azem Parllaku
  5. Blenard Spaho,
  6. Tedi Proda
  7. Enkeleda Sallaku,
  8. Klara Jahollari
  9. Ilir Kapaj
  10. Erjola Kopali
  11. Klea Lekocaj
  12. Romina Koto
  13. Bejo Bizhga
  14. Etleva Shore
  15. Rezearta Dervishi

 

Fraksion.com