AktualitetPolitikëTë fundit

“Duhet ligj për desorosizimin e Shqipërisë”, Berisha-mazhorancës: Bëjeni tani, sepse ai që do bëjmë ne pas zgjedhjeve do t’ju dhembë më shumë

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në fjalën e tij në seancën plenare ka propozuar miratimin e një ligji,. sipas tij emergjencë kombëtare, për desorosizimit të vendit.

Ai u shpreh se një “tërmet i madh politik” ka tronditur botën, dhe Shqipëria nuk mund të mbetet indiferente ndaj pasojave të tij. Sipas Berishës, ky tërmet ka pasur reflektime të ndjeshme, sidomos pas zhvillimeve në SHBA, ku është shënuar përmbysja e sorosizmit dhe ekstremit të majtë. Ai theksoi se, ndërkohë që në SHBA çdo ditë janë firmosur dekretet për desorosifikimin, Shqipëria duhet të ndjekë të njëjtën rrugë dhe të miratojë urgjentisht një ligj të ngjashëm, ndërsa “kërcënoi” se në rast se kjo nuk do të bëhet tani, ligji që do të miratohet në Kuvendin e ri pas zgjedhjeve, do të jetë edhe më “i dhimbshëm” për mazhorancën.

Sali Berisha: Siç e shihni, një tërmet i madh politik ka ndodhur në botë dhe ju nuk mund të bëni të paditurin.
Nuk mund të fshiheni sepse ky tërmet ka pasur pasqyrime apo reflektimin më të madh pas SHBA në Shqipëri.
Ky tërmet është përmbysja e sorosizmit dhe ekstremit të majtë në SHBA, por që pati reflektime të tmerrshme edhe në këtë vend.
Ju kërkoni ta kaloni në një kohë kur atje, në atë vend, çdo ditë presidenti firmos zinxhir dekretesh për desorosifikimin e SHBA, ju vazhdoni të bëni sikur do mund t’i mbani ato në këmbë.

Të mbani në këmbë akte, qëndrime, të cilat janë në armiqësi të plotë jo vetëm me Shqipërinë, por me të gjitha vendet e lira, me të gjitha vendet që aspirojnë të mbeten të tilla.
Ndaj me urgjencë ligji për desorosifikimin e Shqipërisë është një emergjencë kombëtare.
Është më mirë të behet tani se sa kur ta bëjmë ne fill pas zgjedhjeve se do thoni po na persekutoni.
Por unë u garantoj se do ketë të njëjtën peshë me ligjin që do bëhet për dekomunistizimin.
Pra, më mirë të bëjmë një ligj tani.
Sepse ju e dëgjuat mbrëmë Kongresin e SHBA.
Nuk janë më tash vetëm tre organizatat më të mëdha në botë partiake, por është institucioni themelor i demokracisë, ku ju u cituat për akte antidemokratike dhe për plaçkitje të fondeve të SHBA.
Prandaj dhe ligjin pranojeni më mirë si e keqja më e vogël për ju, se ai do bëhet pas zgjedhjeve, u garantoj se do u dhembë shumë.
Më mirë tani se pas zgjedhjeve.

 

Fraksion.com