Bëhen thirrje që programet e rehabilitimit të të burgosurve për terrorizëm të jenë obligative
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) e ka publikuar të enjten raportin lidhur me angazhimin e institucioneve të Kosovës në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, në të cilin është bërë thirrje për ndryshime në Kodit Penal dhe Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, me qëllim të përfshirjes së programeve të rehabilitimit në shqiptimin e dënimit me burgim efektiv.
Sipas tyre, ligjet aktuale nuk mundësojnë kufizime plotësuese për të dënuarit që dënohen me burgim efektiv, por vetëm gjatë shqiptimit të dënimeve alternative, pra dënimeve me kusht.
Sipas raportit, programet e Shërbimit Korrektues për rehabilitim i kanë ndjekur 29 persona, prej 169 personave që kanë qenë në paraburgim, apo janë dënuar për vepra terroriste, ndonëse nuk është përmendur periudha kohore e ndalimit të këtyre personave.
Prej tyre, vetëm dy persona është raportuar të kenë përsëritur veprën e njëjtë, pas vuajtjes së dënimit.
Autorët e raportit kanë vlerësuar se Kosova përbën model të suksesshëm të shtetit sa i përket rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të dënuar për vepra terroriste, megjithatë, ekzistojnë disa zbrazëti ligjore.
Në mesin e rekomandimeve është përmendur edhe hartimi i programeve për të trajtuar ekstremizmin e djathtë, si dhe zhvillimin e programeve individuale për rehabilitim të të burgosurve.
“E kemi një elefant në dhomë, të cilin raporti e konstaton dhe duhet të ketë zgjidhje. Një pjesë e të burgosurve nuk kanë pranuar fare që të përfshihen në programet e rehabilimit dhe riintegrimit”, ka thënë Kreshnik Gashi prej BIRN-it, ndonëse e ka përmendur se programet për rehabilitim janë përditësuar edhe avancuar me kalimin e kohës.
“Momentalisht, Kodi ynë Penal nuk lejon shqiptimin e programeve të detyrueshme të rehabilimit dhe integrimit. Pra, gjykatësit e kanë të pamundur që në kuadër të dënimit kryesor, të shqiptojnë edhe rrethana tjera, të cilat do t’i shtynin që të bëheshin pjesë e programit”, ka thënë ai.
Për pasojë, sipas gjetjeve, një i dënuar rrezikon të dalë nga burgu me bindje të njëjta, në mos edhe më radikale.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kjo sfidë nuk qëndron vetëm për të dënuarit për kryerje të akteve terroriste, por edhe për vepra tjera, sidomos ata që janë të dënuar për dhunë në familje.
“Në këtë drejtim ne po i ndjekim programet bashkë me Këshillin e Evropës, kemi bërë kurrikulë të mirë për këtë çështje, por sfidën e kemi që nuk po mund t’i detyrojmë të burgosurit që të ndjekin këtë program. Vijnë një herë, nuk vijnë herën e dytë, nuk janë të rregullt, nuk janë të disiplinuar, pikërisht sepse nuk e kanë obligim”.
Ajo ka thënë se është diskutuar edhe brenda Këshillit Gjyqësor për të adresuar këtë çështje dhe është zotuar se ministria do të angazhohet për t’i përmbushur rekomandimet që i ka në mandat.
Agjentë të FBI-së është thënë se kanë marrë pjesë në takimet e task-forcës kundërterrorizmit dhe kanë ofruar këshilla përgjatë hetimeve./rel
Fraksion.com