Nuk riktheu në punë vartësin, SPAK çon për gjykim Bardh Spahinë
SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim ish-kryebashkiakun e Shkodrës, Bardh Spahia.
Prej analizës së akteve dhe provave të administruara gjatë hetimeve të kryera, rezulton e provuar se i pandehuri, Bardh Spahia, në cilësinë e kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve, Shkodër, njëkohësisht edhe Kryetar i Bashkisë, Shkodër ka marrë vendimet nr.16 dhe nr.17, dt.18.07.2022 për të liruar nga detyra shtetasin M.M., në funksionin e administratorit të Ujësjellës Kanalizimeve dhe duke emëruar në këtë detyrë shtetasin, A. B.
Nga ana e të pandehurit Bardh Spahia, duke qenë në dijeni të vendimit nr.16 (2984), dt. 19.07.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër për sigurimin e padisë, pavarësisht faktit se ka patur një vendim gjyqësor të qartë dhe të ekzekutueshëm në mënyrë të menjëhershëm për Asamblenë e Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve, Shkodër për pezullimin e vendimeve nr.16 dhe nr.17, dt. 18.07.2022, me të cilat ishte shkarkuar shtetasi, M.M., dhe emëruar A.B., (si rrjedhojë nga Gjykata është urdhëruar rivendosja në detyrë e shtetasit M.M., deri në përfundim të procesit gjyqësor), nga ana e tij, është anashkaluar ky urdhërim gjyqësor duke nxjerrë shtatë (7) ditë më vonë, në dt.25.07.2022, tre vendime të tjera me nr.18, nr.19, nr.20, përmes të cilave sërish ka shkarkuar nga detyra shtetasin, M.M., dhe ka emëruar A.B si administrator, veprime këto të kryera me qëllim pengimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor nr. 16 (2984), datë 19.07.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Në thelb rezulton se vendimet nr.18, 19 dhe 20 të dt.25.7.2022 të kenë të njëjtën vendimarrje (si vendimet nr.16 dhe 17 dt.18.7.2022), me të njëjtin objekt, por me numër dhe datë të ndryshme, përmes të cilëve, i pandehuri ka anashkaluar urdhërimet e vendimit nr.16 (2984) datë 19.07.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër për sigurimin e padisë.
Mosrespektimi i vendimit gjyqësor që përbën titull ekzekutiv cënon në thelb shtetin e së drejtës dhe shkakton pasiguri juridike. Organet/nëpunësit publikë, të cilëve, një vendim gjyqësor iu drejtohet me urdhërime, duhet vetëm ta zbatojnë dhe jo të bëjnë interpretime apo diskutime ligjore nëse është i mbështetur ose jo në ligj.
Fraksion.com