AktualitetPolitikëTë fundit

“Më mirë 10 të fajshëm jashtë se një i pafajshëm në burg”, Rama: Drejtësia demokratike në radhë të parë garanton se nuk i bie në qafë askujt pa lidhje!

Kryeministri Edi Rama, siguroi sot se vetëm Partia Socialiste është garanti i Reformës në Drejtësi.

Në dëgjesën e Rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku në grupin parlamentar të Partisë Socialiste, lidhur me 24 masat e sigurisë së vendosura nga SPAK ndaj stafit dhe pedagogëve të këtij universitetit, Rama iu përgjigj të gjithë atyre që pretendonin se Reformën në Drejtësi e solli SHBA.

“Këta thonë tani dhe thoshin gjithmonë e solli Amerika këtë dhe Amerika na vuri ne në rresht dhe ne pranuam kokulur. Po tani që Amerika ka dalë nga rreshti për arsyet e veta kush është garanti i drejtësisë të re, Afrimi apo Largimi? Vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë askush tjetër”, tha Rama, duke iu përgjigjur drejtorit të Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, i cili kontestoi dje në një shkrim thirrjen e kësaj mbledhjeje.

Kryeministri theksoi se “nëse nuk ka praktikë të ngjashme në asnjë vend të BE-së dhe asnjë vend demokratik ku partia mbledh deputetët për të kryer hetime, nuk e di ku janë hetimet që po kryejmë ne”.

“Sepse kur shpifin në emër të mbrojtjes së demokracisë dhe drejtësisë bëjnë të njëjtin dëm që bën edhe këto masat e sigurisë për të cilat dje ka filluar numërimi mbrapsht për Shqipërinë në Strasburg. Se nuk është shkencë, nuk do as ndonjë eksperiencë të madhe juridike për të imagjinuar se sa nga këto masat e sigurisë do të rrëzohen në Strasburg dhe sa do të shkojë fatura e taksapaguesve shqiptarë për të dëmshpërblyer ata që futen në masë sigurie deri në pikën që mbahen në burg 3 vjet pa gjyq dhe pastaj dalin nga burgu se nuk i bëhet dot procesi”, shtoi Rama.

Kjo, sipas tij, “nuk ka lidhje me pandëshkueshmërinë, nuk ka lidhje me hetimet profesionale, nuk ka lidhje me drejtësinë europiane dhe nuk është e rastit që ne jemi një problem për Komitetin e Torturës në Këshillin e Europës”.

“Ne nuk mund të jemi krenarë për këtë dhe nuk mund të themi se nuk ka problem, le të torturohen njerëz të pafajshëm se ne duhet të kapim të fajshmit. Ka një postulat:  ‘më mirë 10 të fajshëm jashtë se një i pafajshëm në burg’. Që do të thotë një drejtësi e drejtë demokratike në radhë të parë garanton se nuk i bie në qafë askujt pa lidhje”, shtoi Rama.

Sipas tij, marrja e 24 masave të sigurisë tronditi një universitet të tërë, një komunitet të tërë prindërish, studentësh dhe i dha një shkelm një marrëveshjeje të bërë me universitetin BOKU në Vjenë.

Kryeministri kujtoi se ka shkuar vetë personalisht në shkallët e atij Universiteti për të vendosur partneritet me Universitetin Bujqësor të Tiranës.

“Kam shkuar unë atje personalisht si lypës te shkallët e universitetit BOKU të Vjenës ku më shihte rektori si UFO. 150 vjet -160 vjet universitet je i pari kryeministër që vjen këtu dhe nuk e di se çfarë kërkon këtu nga ne. Shkova për t’iu lutur hajdeni në Shqipëri keni një universitet me traditë, hajde ta bëjmë një universitet austriak, dua që në 2030 ne ta kemi UNT një universitet të gjithë rajonit ku të vijnë të marrin diplomën austriake”, tha Rama.

 

Fraksion.com