Gjermani: Rritje befasuese e deficitit shtetëror
Qeveria gjermane regjistroi vitin e kaluar një nivel çuditërisht të lartë të borxhit shtetëror. Sipas llogaritjeve paraprake të Entit Federal të Statistikave deficiti i shtetëror ishte 118.8 miliardë euro – 15 miliardë euro më shumë se në vitin 2023. Kjo do të thotë se në Gjermani deficiti i shtetit ishte më i lartë nga sa pritej. Më parë mendohej se ky deficit do të ishte 113 miliardë euro. Deficiti shtetëror tregon se sa i tejkalojnë shpenzimet e qeverisë federale, të landeve federale, të bashkive dhe të sigurimeve shoqërore të ardhurat. e mbledhura nga taksat apo tarifat e tjera.
Të ardhurat tejkalojnë për herë të parë shifrën dy bilion euro
Shteti gjerman ka shpenzuar pra shumë më tepër sesa të ardhurat që ka mbledhur – edhe pse të ardhurat në nivel federate arritën vitin e kaluar një nivel rekord prej 2.012,9 miliardë euro. Sipas statisticienëve kjo ishte hera e parë që të ardhurat e tejkaluan “nivelin e dy bilionë eurove”.
Në krahasim me vitin 2023 të ardhurat u rritën me 4.8 për qind. Vetëm të ardhurat prej tatimeve u rritën me 3.5 për qind. Tatimi mbi vlerën e shtuar u rrit me 2.4 për qind, ndërsa të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat u rritën me 3.6 për qind.
Rritje e shpenzimeve për normat e interesit dhe për ndihma sociale
Megjithë të ardhurat rekord të shtetit, që shkuan në mbi 2012.9 miliardë euro, shpenzimet shtetërore ishin 2.131,6 miliardë euro. Në këtë mënyrë shpenzimet e qeverisë u rritën me 5.3 për qind krahasuar me një vit më parë. Përfitimet sociale monetare u rritën me 7.0 për qind. Deficiti rezultoi kryesisht nga shpenzimet më të larta për pensionet. Shpenzime të mëdha janë bërë edhe për ndihmat sociale dhe ndihmat për përkujdesjen shëndetësore./DW
Fraksion.com