AktualitetPolitikëTë fundit

Dumani: SPAK ka vendosur themele të shëndosha në çështje të komplikuara të korrupsionit dhe zyrtarëve të lartë publikë!

Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i pranishëm në një aktivitet mbi performancën e institucioneve të drejtësisë, të organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, theksoi se SPAK është në gjendje që të kryejë në pavarësi të plotë dhe në respektim të Kushtetutës hetime të guximshme edhe ndaj zyrtarëve të lartë. Sipas Dumanit epoka e paprekshmërisë po lëkundet.

“SPAK ka treguar se është në gjendje që në respektim të ligjit dhe kushtetutës të kryejë në pavarësi të plotë hetime të guximshme kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë çka dëshmon se epoka e paprekshmërisë po lëkundet. Hetimet tona gjithashtu kanë goditur grupe kriminale të përfshira në trafiqet ndërkombëtare të drogës, pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore, organizata kriminale të cilat kanë për objektiv kryerjen e veprave penale, vepra shumë të rënda kundër jetës sidomos kundër kundërshtarëve të tyre. Rritja e kapaciteteve të SPAK ka vendosur themele të shëndosha në çështje të komplikuara të korrupsionit dhe zyrtarëve të lartë publikë”, tha Dumani.

Dumani nënvizoi se “besimi i partnerëve ndaj SPAK është rritur dhe kjo është reflektuar në rritjen e bashkëpunimit dhe kryerjen hetimeve të përbashkëta me to kryesisht me vende anëtare të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës, vendeve të Amerikës Latine si dhe vendeve të tjera partnere në rajon. Shoh se edhe në këtë takim ka prani të oficerëve ndërlidhës me shtete të cilët ne bashkëpunojmë dhe dua t’i falënderoj për angazhimin besimin që kanë pasur ndaj SPAK, dhe për marrëdhëniet konstruktive të ndërtuara me shtetet anëtarë të BE-së dhe shtete të tjera”.

“Gjithashtu marrëdhëniet me Interpol EuroJust janë forcuar dhe intensifikuar si dhe falë koordinimit dhe ndihmës së tyre është bërë bashkëpunimi në kohë reale dhe pasja e hetimeve të suksesshme”, nënvizoi më tej Dumani.

Dumani tha se goditja ndaj fuqisë ekonomike të krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë ka bërë progres.

“Vlera e aseteve të konfiskuara dhe sekuestruara në total në vitin 2024 ka arritur në vlerën 59 milionë euro, këtu përfshihen edhe krioptovaluta të cilat po gjejnë gjithnjë e më shumë përdorim nga organizatat kriminale, të cilat po përdoren si për veprime kriminale si dhe pastrimin e parave”, u shpreh Dumani.

Dumani theksoi se “lufta ndaj pastrimit të parave synon të japë mesazhe të qarta se krimi nuk do të mund të blejë apo të shpërblehet”.

“Kemi një rritje të ndjeshme të procedimeve penale për veprën penale të pastrimit të parave”, tha Dumani.

Dumani nënvizoi më tej se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkon bashkëpunim të ngushtë mes prokurorëve policisë së shtetit dhe institucioneve të tjera.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Dumani u shpreh se asnjë lloj ndikimi i jashtëm nuk do të dobësojë hetimet e SPAK.

“Duhet të keni besim tek integriteti i prokurorëve të SPAK, tek përkushtimi i tyre për hetime komplekse dhe procese që respektojnë të gjitha palët. Ne garantojmë se çdo lloj ndikimi i jashtëm nuk do të cenojë e as dobësojë forcën tonë hetimore në përmbushje të detyrimeve tona kushtetuese ligjore si dhe misionin përballë shoqërisë”, tha Dumani.

 

Fraksion.com