AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Të angazhohemi për të çliruar Shqipërinë nga një diktaturë e dytë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një deklarate të bërë sot, nderoi 22 intelektualët e ekzekutuar nga regjimi komunist, duke theksuar se akti më i madh i nderimit që mund t’u bëhet këtyre martirëve është çlirimi i Shqipërisë nga ajo që ai e cilësoi si “diktaturë e dytë”.

Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po përdor të njëjtat metoda të shkeljes së ligjeve dhe Kushtetutës për të mbajtur pushtetin. Ai i ka ftuar shqiptarët të bashkohen për t’i dhënë fund regjimit të tanishëm dhe të kontribuojnë në ndryshimin e sistemit politik.

 

Ky ishte një krim i shëmtuar kundër njerëzimit që regjimi kreu në vazhdën e luftës civile, në vazhdën e krimeve të kryera që nga themelimi i partisë komuniste shqiptare si seksioni i partisë komuniste jugosllave, dhe gjer në fund të ekzistencës së saj.

Sot, ne nderojmë dhe përulemi para veprës së pavdekshme të këtyre martirëve, të cilët u përzgjodhën nga regjimi, por edhe personalisht nga Enver Hoxha, i cili me dorën e tij shtoi disa emra, ndër të cilët edhe Sabiha Kasimatin, një intelektuale, një shkencëtare, një studiuese të vërtetë.

Të dashur qytetarë, nderimi më i madh që u bëjmë ne sot këtyre përfaqësuesve dinjitozë të elitës së kombit shqiptar është të bashkojmë, të angazhojmë të gjitha forcat për të çliruar Shqipërinë nga kjo diktaturë e dytë, e vendosur nga një bastard i atyre që ekzekutuan 22 intelektualët e pafajshëm vetëm e vetëm për mendimet e tyre kundër diktaturës totalitare.

Edi Rama, sot përdor të njëjtat metoda, duke shkelur ligje dhe Kushtetutë, kundër kundërshtarëve politikë, për të mbajtur në këmbë regjimin e tij.

Sot është një rast për të gjithë shqiptarët që të bashkohemi me 11 maj për t’i dhënë shtytjen përfundimtare në galerat e historisë një regjimi të bazuar në krimin,drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Nderim përjetë martirëve të kombit shqiptar, që u ekzekutuan vetëm e vetëm si kundërshtarë të armikut të egër të shqiptarëve, doktrinës komuniste dhe regjimit komunist.

 

Fraksion.com