Rama: SPAK-u vullnet i Partisë Socialiste, Amerika i ka tërhequr prokurorët
Kryeministri Edi Rama, në bashkëbisedimin me qytetarët sot në platformat sociale u ndal te transformimet e sistemit të shërbimeve shtetërore dhe dixhitalizimit që ka çuar në tkurrjen dhe nxjerrjen jashtë sistemit të korrupsionit në vend.
Sipas kryeministrit, “këto janë ato transformimet strukturore sistemike që bëjnë që integriteti i proceseve të brendshme të mos jetë i lidhur me persona, por me makinerinë e shtetit. Modernizimi i sistemit bën që korrupsioni të tkurret apo të nxirret fare jashtë nga sistemi”.
“Në marrjen e një certifikate nuk ka më mundësi të bësh korrupsion, sepse sistemi e ka nxjerrë jashtë atë që ka në dorë të pengojë dhe të të thotë që shiko se duhet të paguash që unë të të jap këtë shërbim. Dhe nuk është vetëm për certifikatat, por për 95% të shërbimeve me dokumenteve të këtij shteti”, u shpreh Kryeministri Rama.
Gjatë bashkëbisedimit virtual, një komentues i shkruan kryeministrit qëndrimin e tij se “njerëzit nuk kanë bukë”!
Kryeministri tha se Shqipëria nuk ka pasur kurrë një krizë urie në historinë e vet, që nga koha e Skënderbeut, madje sipas Ramës në raportet e shteteve të huaja, Shqipëria nuk konsiderohet më një vend i nënzhvilluar, por në zhvillim.
“Jemi në diskutim me qeverinë amerikane për sa i përket një fondi të konsiderueshëm që Shqipërisë i është dhënë në parim dhe që duhet të konfirmohet. E dini çfarë problemi kemi dhe nuk e kemi me qeverinë amerikane, por një qasje e përgjithshme se nuk konsiderohet më Shqipëria vend i asaj kategorie që mund të hyjë në këto programe, konsiderohet vend i zhvilluar. Jo vend i nënzhvilluar, por hyn te vendet në zhvillim, që do të thotë nuk flasim më për bukë, flasim për një nivel tjetër të jetesës dhe natyrisht flasim për të ardhura të ulëta, kosto jetese që kërkojnë më shumë forcë financiare për t’u përballuar për një shtresë të caktuar. Shqipëria nuk ka pasur krizë për bukë as në kohën e Skënderbeut, sepse jemi një vend që nuk kemi përjetuar kriza urie. Në luftën italo-greke, grekët erdhën këtu për të ngrënë bukë”, tha Rama.
Kryeministri u ndal sërish te puna e SPAK dhe lufta antikorrupsion me sistemet e reja të drejtësisë duke theksuar se është tërësisht vullnet i Partisë Socialiste të Shqipërisë.
“Pjesa e fundit që po thosha është lufta antikorrupsion me institucionet e reja të drejtësisë ky është vullnet i PS. Jemi përpara një fakti shumë të thjeshtë dhe dua që të gjithë ata që insistojnë në mënyrë sa qesharake, aq edhe të hidhur që këtu jemi të gjithë njësoj, këtu janë të gjithë për burg, rroftë SPAK-u. SPAK-u është një institucion i krijuar nga vullneti politik i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Sot, e kemi më të thjeshtë, SPAK-un e solli Amerika, e mban Amerika, se është Amerika që do i fusë të gjithë këta në burg, se Amerika, Amerika. Tani, Amerika nuk është më, sa për dijeni! Amerika i kishte njerëzit e vet që asistonin SPAK-un, hynin e dilnin në mëngjes e mbasdite te stacioni i trenit, nuk janë më. I ka tërhequr Amerika dhe për herë të parë në historinë e marrëdhënieve tona pavarësisht gjërave që kanë ndodhur ose s’kanë ndodhur keni dëgjuar ndonjë deklaratë të ambasadës amerikane për SPAK-un, apo drejtësinë?”, pohoi Kryeministri.
Rama u ndal edhe te reagimet e Bashkimit Evropian, që sipas Kryeministrit patën një deklaratë për ato që u quajtën presione apo ndërhyrje ndaj sistemeve të drejtësisë, ndërsa Kryeministri tha se nuk i heq asnjë presje asaj që ka shprehur për SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë.
“Bëhet fjalë për institucione të reja që kanë pesë vjet janë “baby institutions” dhe kanë nevojë për edhe kriticizëm konstruktiv, por që të rrimë te thelbi. Kush e mban apo mbron SPAK-un? Ju e dini që këneta është përbetuar nëpërmjet gojës së bufit vetë që do ta shkrijë SPAK-un. Këneta thotë: na jepni votën të shkrijmë SPAK-un, bufi thotë do ta shkrijë SPAK-un. Nëse do të isha edhe unë i interesuar për këtë, i trembur, i shqetësuar siç përpiqen të më pikturojnë ca që janë pjesë e problemit, jo e zgjidhjes, atëherë kjo do ishte e thjeshtë fare: një fishkëllimë e bufit dhe a e di si vinte ai bufi? Se e sillte tmerri që ka nga drejtësia, SPAK-u, tmerri që ka me të kaluarën që nuk e blen dot, nuk e ndryshon dot, menjëherë vinte bufi”, u shpreh Rama.
Fraksion.com