“Paradoksi i progresit”, Rama: Arritjet në luftën kundër korrupsionit rrisin perceptimin negativ të publikut
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se përshkallëzimi i luftës kundër korrupsionit paralelisht me arritjet forcon edhe perceptimin e korrupsionit, që është një fenomen i njohur si “paradoksi i progresit”.
Gjatë një komunikimi live në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama solli në vëmendje disa studime në lidhje me perceptimin e publikut në luftën kundër korrupsionit.
“Për sa i përket korrupsionit dhe perceptimit të korrupsionit ka shumë studime, analiza të bëra, ka gjëra të para e të shkruara, sepse nuk jemi ne të parët që kalojmë nga kjo fazë. Të tjerët kanë kaluar para nesh këto faza dhe të gjitha fazat e tjera ndaj janë aty ku janë, ndaj ne po shkojmë aty ku ata janë”, shtoi Rama.
Rama tha kur vjen puna tek perceptimi i korrupsionit ka një koncept që quhet “paradoksi i progresit”, i cili lidhet me faktin se në momentin kur një vend, një shoqëri, vendos të përshkallëzojë luftën kundër korrupsionit dhe ta çojë në nivel të ri si ne, paralelisht me arritjet forcohet perceptimi i korrupsionit”.
“Prandaj quhet paradoksi i progresit. Në vend se në atë fazë të ndërmjetme të krijohet më shumë besim, qetësi, bindje lidhur me përparimet në luftën kundër korrupsionit, krijohet një atmosferë cinizmi, nihilizmi dhe mohimi i gjithçkaje dhe krijohet vendosja e gjithçkaje brenda kornizës së korrupsionit”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje një nga studimet ku thuhet se bërja publike e qëllimeve dhe bërja publike e të gjitha proceseve që stimulojnë luftën kundër korrupsionit duke i bërë hapat që hidhen të dukshëm për publikun, çon në perceptimin që korrupsioni është më i përhapur se sa është.
Në fakt. vijoi kryeministri, “në të kundërt ai tkurret”.
“Praktikisht reformat institucionale antikorrupsion, agjencitë që i dedikohen kësaj lufte, praktikisht kontribuojnë në rritjen e një perceptimi negativ që natyrisht është i përkohshëm, por i përket kësaj faze ku jemi ne”, shtoi Rama.
Kjo sipas tij, “edhe për shkak të një mbulimi histerik në medie, sepse po hyhet në një fazë ku ka brum telenovelash mediatike, pavarësisht se çfarë thonë arritjet dhe rezultatet konkrete në këtë luftë që janë të matshme”.
Fraksion.com