Nuredin Dumani: Talo Çela donte të na vriste! Bëra pakt me Alibejn dhe hartuam listën e personave për 3 orë
I penduari i drejtësisë për dosjen “Plumbi i artë”, Nuredin Dumani, ka vijuar edhe ditën e sotme (25 shkurt), dëshminë e tij në GJKKO në lidhje me organizatat kriminale, vrasjet me pagesë, atentatet dhe sagën e krimeve, e deri te konfliktet me Talo Çelën, ish-mikun e tij të kthyer në armik.
Dumani ka pohuar në sallë se Talo Çela kishte dashur që t’i vriste, teksa më tej dha detaje për miqësinë e vjetër mes tyre dhe sherret që çuan deri në hakmarrje të përgjakshme, me disa viktima.
Dumani vijon t’i përgjigjet pyetjeve të avokatëve të të pandehurve nga GJKKO.
Talo Çela donte të na vriste, me informoi dhe miku im Fatmir Troplini”, tha ai ndër të tjera.
Në dëshminë për miqësinë me Talo Çelën ai tha:
“Talon e kam njohur në vitin 2009 ose 2010, nga Ilirjan Feci. Kam qëndruar tek shtëpia e Talos dhe ai tek shtëpia ime. Kam njohur dy vëllezërit e Talos. Deri më 2019 kam pasur marrëdhënie të mira me Talo Çelën. Kam pasur kontakte edhe me vëllanë e tij, Bujar Çelën, në shtëpi, e kam takuar vetëm në 2013, më pas në një lokal. Bujari i shërbente Talos, bënte takime në emër të tij, e ndihmonte për çdo gjë”, rrëfeu ai miqësinë e hershme mes tyre, që u kthye në armiqësi.
Më tej Dumani kaloi edhe në rrëfimin e njohjes me Erjon Alibejt dhe paktit me të, teksa kishte shkuar ta sqaronte se nuk e kishte qëlluar ai të vëllain dhe familjarët, në atentatin e Bradasheshit në Elbasan, më 2018, me 3 të vrarë. Në takim ka qenë edhe Arjan Spahiu, i afërm i Alibejt. Aty është bërë pakti që të luftonin se bashku armiqtë e tyre.
“Elio Bitrin me kam njohur me Erion Alibejn. Jam vënë në dijeni që Erjon Alibej kërkonte të më takonte. Dhe Elio më tha që Erion Alibej ka rënë në gjurmët tuaja, që vëllai im ka qëlluar në drejtim të vëllait të Alibejt dhe familjes së tij. Në shtëpinë e Eljo Bitrit jam takuar me Arjan Spahiun, njeri i afërm i Alibejt, për të sqaruar që nuk isha unë personi që ka qëlluar në drejtim të vëllait të tij dhe familjarëve. kur kam takuar Erjon Alibejn nuk shkuam për të bërë pazare për vrasje. Unë shkova të takoja Alibejn për të negociuar për të vrarë Talo Çelën dhe Altin Ndocin, nuk doja t’i vrisja këta me dorën time. Doja t’i vriste Erjoni me njerëzit e tij. Pas takimit me Erjonin ndryshoi gjithçka dhe vendosëm të dy që të eliminonim kundërshtarët. Në takimin e parë që bëra me Alibejn, për më shumë se 2-3 orë hartuam një listë për personat. Pasi kisha marrë vesh që Talo Çela do na vriste dhe vendosëm me Erjonin që të godasim, i thashë do godasim nga Durrësi”, rrëfeu Dumani në sallën e gjyqit.
Dumani ka rrëfyer të paktën 12 vrasje në një dekadë, pjesa më e madhe me pagesë, si dhe krime të tjera të rënda për llogari të grupeve kriminale. Dosja ka të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale nëpër qarqe, përfshi edhe Ervis Martinajn, ‘mbretin e kumarit’, i zhdukur prej tre vitesh pa gjurmë.
Fraksion.com