AktualitetBota+NATO/BETë fundit

Macroni e sjell Evropën më pranë tryezës së negociatave

Presidenti francez Macron foli me homologun e tij amerikan Trump për Ukrainën. Ai kaloi në një ofensivë joshjeje. Qëllimi: të sjellë Evropën në tryezën e negociatave. Duket se iu afrua këtij qëllimi.

Ishte një përpjekje e presidentit francez Emmanuel Macron për të bindur homologun e tij amerikan Donald Trump që të largohej nga pozicionet e tij së fundmi ekskluzivisht proruse, për ta kthyer atë drejt Ukrainës – dhe për të sjellë evropianët në tryezën e bisedimeve. Ishte gjithashtu një përpjekje për të shpëtuar aleancën transatlantike.

Mjeti i Macronit: një ofensivë joshjeje. “Faleminderit, faleminderit zoti President. Faleminderit i dashur Donald”, i tha Macroni Trumpit. Ai ia ktheu duke e quajtur “miku im” në këmbim. Të dy bënë shaka, buzëqeshën dhe mbajtën duart vazhdimisht.

Marrëveshje për disa pika

Për sa i përket përmbajtjes, kishte të paktën pika, që u dukën si përparim. Trump theksoi se luftimet në Ukrainë mund të përfundojnë brenda disa javësh. “Fokusi ynë është në arritjen e një armëpushimi sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në fund të një paqeje të qëndrueshme”, tha Trump, duke shtuar: “Unë mendoj se Emmanueli është dakord me mua në shumë nga pikat më të rëndësishme”.

Trumpi njoftoi se donte të takonte Volodymyr Zelenskin këtë javë ose javën e ardhshme, kryesisht për të siguruar qasje në lëndët e para të Ukrainës: “Ne duhet të lidhim një kontratë me Ukrainën për minerale të rëndësishme dhe toka të rralla”, tha Presidenti amerikan.

Trump dhe  Macron, konferenca e shtypit
Trump dhe MacronFotografi: Chip Somodevilla/Getty Images

Macroni e quajti me vend iniciativën e Trumpit për t’iu afruar Presidentit rus Vladimir Putin. Ka një “kontekst të ri” me ndryshimin e qeverisë në SHBA, tha Macroni dhe kujtoi “interesat e përbashkëta” të SHBA-së dhe Evropës: “Të gjithë janë në rolin e tyre. Por ne kemi unitet europiano-amerikan”, tha Presidenti francez.

Trumpi befason me deklaratën për Putinin

Sipas Macronit, roli i Evropës përfshin trupat evropiane, të cilat do të sigurojnë paqen në një zonë tampon në të ardhmen, të mbështetur nga SHBA. “Ne kemi nevojë për këtë mbështetje amerikane. Kjo është pjesë e besueshmërisë së garancive të sigurisë,” tha Macroni.

Trumpi befasoi në këtë pikë kur tha se Putini ishte në favor të paqeruajtësve evropianë: “Unë e pyeta atë në mënyrë specifike dhe ai nuk ka asnjë problem me këtë,” tha Trumpi.

Trumpi pret Macronin takimi para deres
Trumpi pret MacroninFotografi: Evelyn Hockstein/REUTERS

Macroni e kundërshtoi edhe hapur Trumpin, bëri të qartë, për shembull, se Rusia ishte agresori në këtë luftë, jo Ukraina. Dhe kur Trumpi pohoi përsëri se SHBA-të kishin investuar shumë më tepër para në Ukrainë sesa në Evropë, Macron u përgjigj: “Jo, fakti është, të jem i sinqertë, ne kemi paguar 60 për qind të përpjekjes totale”.

Dallime midis Evropës dhe SHBA

Se sa të mëdha mbeten dallimet u bë veçanërisht e qartë jo shumë larg, në Nju Jork. Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, SHBA-të votuan së bashku me Rusinë në favor të një rezolute që bën thirrje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por pa përmendur rolin e Rusisë si agresor. Shtetet evropiane në Këshillin e Sigurimit abstenuan.

Pra, çfarë mbetet pas vizitës së Macronit në Uashington? A ka Europa tani një vend në tryezën e negociatave? Macroni ndoshta ka bërë një hap drejt tryezës. Trumpi e dëgjoi atë për disa orë. Pikat e takimit u bënë të dukshme. Por shumë pyetje mbeten pa përgjigje.

Mysafiri i ardhshëm evropian në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri britanik Keir Starmer, do të ketë shumë punë të enjten për të shtuar pikat e takimit. SHBA dhe Evropa janë ende shumë larg një strategjie të vërtetë të përbashkët negociuese./DW

 

Fraksion.com