AktualitetPolitikëTë fundit

“Korrupsioni tjetër është tek kontaktet”, Rama: 47 milionë kontakte online përmes e-Albania-s shmangën “bakshishet”

47 milionë kontakte online përmes e-Albania-s mes qytetarëve dhe institucioneve shqiptare kanë shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë dhe rrjedhimisht korrupsionin që vjen nga ky ndërveprim.

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot live pyetjeve të adresuara nga qytetarët në platformat sociale në rubrikën “Sy m’Sy”.

“Korrupsioni tjetër është tek kontaktet. Është tek pjesa e ndërveprimit mes njeriut, qytetarit që kërkon një shërbim dhe atij që është në sportel edhe që ta jep apo s’ta jep shërbimin në kohë etj. Dhe ka qenë një kohë në këtë vend, jo 100 vjet përpara, por përpara sesa ne të vinim në detyrë dhe në vitet e para, përpara se ne të transformonim komplet sistemin e shërbimeve publike me e-Albania-n, kur edhe për të marrë një certifikatë të gjendjes civile, rregullisht dhe brutalisht paguhej një bakshish i vockël”, tha Rama.

“Sot 47 milionë kontakte, që përndryshe do të ishin bërë të drejtpërdrejta, të cilat kanë një impakt të jashtëzakonshëm në kohë, kanë një impakt të jashtëzakonshëm në kosto, sepse duhet të dalësh nga shtëpia duhet të bësh rrugë, kanë impakt të jashtëzakonshëm në psikologji sepse duhet të rrish në radhë, erdhi radha, s’erdhi radha ishte sëmurë ajo ke sporteli apo nuk mu përgjigj ai ke sporteli e kështu me radhë, kanë ndodhur online”, u shpreh kreu i qeverisë.

Dhe, shtoi Rama, “për herë të parë dhe jo vetëm për herë të parë por nuk e kanë të gjitha vendet e BE-së këtë, ata që janë jashtë, edhe në kontinente të tjera mund të marrin shërbim live direkt, nga shtetit shqiptar, përmes platformës e-Albania”, tha Rama.

 

Fraksion.com