AktualitetNATO/BETë fundit

Gjykata Europiane shqyrton planet e Italisë për refugjatët

Këtë të martë Gjykata Europiane fillon konsultimin për të sqaruar nëse është në përputhje me të drejtën e BE-së plani i qeverisë Italine për shqyrtimin e kërkesave për azilim në një vend të tretë.

Deri në shpalljen e vendimit mund të kalojnë disa muaj. Procesi ka të bëjë me planet e qeverisë së kryeministres së djathtë italiane Giorgia Meloni. Italia është vendi i parë I BE-së, që ka ngritur strukturat e strehimit te refugjatëve jashtë BE-së, duke i vendosur ato që nga tetori 2024 në Shqipëri. Në këtë kompleks nëpunësit italianë duhet të marrin vendimin lidhur me kërkesat për azil, që paraqesin refugjatët që kapen duke lundruar ilegalisht përmes detit Mesdhe duke synuar të shkelin në territorin e BE-së me shpresën për një jetë më të mirë. Qëllimi i procedurave të përshpejtuara në një vend të tretë si në Shqipëri është kthimi sa më shpejt i refugjatëve në vendin e origjinës. Të tjera shtete europiane po i ndjekin me kujdes plane të tilla.

Kush e përcakton një vend të tretë të sigurtë?

Ky model deri tani nuk ka funksionuar. Drejtësia italiane i ka pezulluar planet e qeverisë tri herë që nga tetori 2024. Të 66 personat, që u trasportuan në Shqipëri, janë dërguar në Itali.

Gjykata Europiane do të shqyrtojë nëse një qeveri ka kompetencën për të përpiluar listën e shteteve të treta të sigurta dhe nëse ajo ka të drejtën të përcaktojë kriteret për të klasifikuar një vend si të sigurtë. Gjithashtu duhet të sqarohet, nëse një vend mund të konsiderohet si i sigurt, nëse ai nuk është i sigurt për të gjithë dhe nëse gjykatat për verifikimin e procedurës së përshpejtuar lejohen të përdorin burimet e veta të informacionit./DW

 

Fraksion.com