AktualitetBota+NATO/BETë fundit

CDU/CSU e SPD afrohen për shpenzimet e reja për mbrojtjen

CDU/CSU dhe SPD duket se po afrohen në debatin mbi shpenzimet e jashtëzakonshme për ushtrinë gjermane. Po diskutohet edhe një reformë e frenës kushtetuese të borxhit.

Sipas agjencisë së lajmeve Bloomberg, përfaqësuesit eCDU/CSU dhe SPD po diskutojnë se si të kapërcejnë kufizimet e rrepta të borxhit të Gjermanisë. Bëhet e ditur se po shqyrtohet mundësia e miratimit të një pakete të re për armatimin, e cila do të ishte dyfishi i asaj të miratuar tre vjet më parë nga parlamenti në largim. Sipas Bloombergut, që i referohet një personi të brendshëm, përfaqësuesit e të dyja palëve po negociojnë një buxhet shtesë deri në 200 miliardë euro për të forcuar kapacitetin e mbrojtjes. Zëdhënësit e SPD dhe CDU nuk pranuan të komentojnë.

Megjithatë, zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, Thorsten Frei, ka lënë të kuptohet në radion Deutschlandfunk se është i hapur për krijimin e një fondi të ri special për ushtrinë gjermane. Duke pasur parasysh ndryshimet dinamike në politikën e jashtme, ai nuk përjashton mundësinë që vendimet të merren shumë shpejt në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Por kjo është një çështje krejtësisht e ndryshme nga pyetja nëse duhet të reformohet në përgjithësi frena kushtetutese e borxhit, theksoi Frei.

Negociatat nën presion kohor

CDU/CSU dhe SPD janënën presion kohor me projektin e tyre. Një shumicë prej dy të tretash në Bundestag dhe Bundesrat (Dhoma e Landeve federale) kërkohet si për një reformë të frenimit të borxhit, siç parashikohet në Kushtetutë, ashtu edhe për krijimin e një fondi të ri të posaçëm. Kjo në një kohë, kur në Bundestagun e ri, AfD dhe e majta kanë një pakicë bllokuese. Edhe pse partia E Majta ka njoftuar se mund të jetë e hapur për një reformë pro investimeve, ajo nuk është në favor të shpenzimeve të mbrojtjes. Si lideri i CDU-së Friedrich Merz ashtu edhe kancelari Olaf Scholzthanë dje se Bundestagu, edhe në përbërjen e tij aktuale, mund të marrë vendime deri në seancën konstituive të parlamentit të ri. Bundestagu i ri duhet të formohet më e vonta deri në 25 mars.

Fond special apo reformë e frenës së borxhit?

Në CDU/CSU, disa politikanë të shquar po paralajmërojnë kundër një reforme të frenimit të borxhit. Ish-kryeministri i landit Rini Verior-Vestfalaia, Armin Laschet i tha gazetës Rheinische Post se qeveria e re federale duhet së pari të vendosë prioritetet dhe të shqyrtojë buxhetin për kursimet e mundshme përpara se të marrë më shumë borxhe. Kreu i CSU-së bavareze Markus Söder ishte gjithashtu i kujdesshëm. Merzi nuk e kishte përjashtuar më parë një reformë të frenës kushtetuese të borxhit për të mundësuar shpenzime të larta ushtarake.

Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius i ka bërë thirrje CDU/CSU të reformojë frenën e borxhit për të rritur buxhetin e forcave të armatosura. “Për të siguruar që forcat e armatosura të kenë burime të mjaftueshme, një përjashtim nga frena e borxhit është praktikisht e pashmangshme”, tha politikani i SPD për gazetën Bild. Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes duhet të dyfishohet në mbi 100 miliardë euro në vitet e ardhshme për shkak të investimeve të nevojshme.

Të Gjelbrit mbeten gjithashtu të hapur ndaj një reforme të frenës së borxhit. Bashkëkryetarja e grupit parlamentar Hasselmann tha për radion Deutschlandfunk se një reformë e tillë është e nevojshme për të ardhmen. “Ne kemi nevojë urgjente për investime të orientuara drejt së ardhmes në sigurinë e brendshme dhe të jashtme, mbrojtjen e klimës dhe mbështetjen ekonomike,” tha Hasselmann./DW

 

Fraksion.com