AktualitetPolitikëTë fundit

Asambleja Parlamentare, Gjiknuri fton vendet e OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 majit

Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë, i kryesuar nga deputeti i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri dhe anëtarët Ermonela Valikaj dhe Fatmir Mediu morën pjesë në takimin e dimrit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, që u zhvillua në Vjenë, Austri në datat 20 – 21 shkurt.

Në seancën e përbashkët të komisioneve, që u drejtua nga Presidentja Pia Kauma u mbajt një debat mbi “Sfidat kryesore të sigurisë evropiane”, ku parlamentarët theksuan rëndësinë e drejtësisë për krimet e luftës dhe angazhimin e vazhdueshëm për Ukrainën.

Kryetari i delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë, Damian Gjiknuri vlerësoi rolin thelbësor të OSBE-së në forcimin e institucioneve demokratike, veçanërisht në misionet e vëzhgimit të zgjedhje me ODIHR.

“Ndërsa mblidhemi çdo vit kemi mundësinë të matim suksesin dhe progresin e çështjeve të sigurisë ndërkombëtare. Nga takimi i vitit të kaluar, ka një armëpushim dhe jemi në fillimet e një marrëveshjeje paqeje në Gaza dhe Liban. Të gjithë shpresojmë se do të jetë një paqe e qëndrueshme. Shqipëria do të kontribuojë për të siguruar paqen, veçanërisht në rajonin e Europës Juglindore, ku mendojmë se BE-ja mbetet rruga e vetme për paqen dhe prosperitetin e të gjithë rajonit”, u shpreh Gjiknuri.

Gjiknuri ftoi të gjithë anëtarët e OSBE-së të vijnë dhe të vëzhgojnë zgjedhjet në Shqipëri, në 11 maj 2025, dhe të dëshmojnë përparimin e institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.

Ndërsa Mediu foli mbi tematikën e sesionit, ndërsa u shpreh se “Kina, Rusia dhe Irani nuk janë vetëm kundërshtarë të kombeve të veçanta, ato janë kërcënime sistematike për të gjithë rendin transatlantik”.

Më shumë se 240 parlamentarë nga vendet anëtare të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së morën pjesë në këtë takim vjetor, i cili shërben si një platformë për diskutime të thelluara mbi sfidat aktuale në sigurinë evropiane, duke u përqendruar në vëzhgimin e zgjedhjeve, raportimin e situatave pas zgjedhjeve dhe identifikimin e masave për përmirësimin e transparencës dhe demokracisë.

Pjesëmarrja e delegacionit shqiptar thekson rolin e rëndësishëm që luan Shqipëria në skenën ndërkombëtare, si dhe angazhimin e saj për promovimin e vlerave demokratike dhe sigurisë në rajon.

 

Fraksion.com